Organizuar nga OJQ “Projekti 5 Cent”, në oborrin e SHFMU “Ibrahim Rugova” në Kastriot (Obiliq) u shënua “Dita e Tokës” me mbjelljen e 51 fidanëve nga 51 pjesëtarë të FSK-së të shoqëruar edhe nga 51 nxënës me simbolikën e 51 vjetorin të organizimit ndërkombëtar të kësaj dite.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama të cilët u pritën nga kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi si dhe stafi drejtues e mësimdhënës i shkollës.
Ceremoninë e mbjelljes së fidanëve e filloi ministri Mehaj, gjeneral Rama dhe kryetari Gashi për ta përmbyllur me sukses pjesëtarët dhe nxënësit e caktuar.
Në fund para gazetarëve dhe mediave, ministri Mehaj në adresimin e tij, e çmoi lart projektin përkatës duke theksuar se Bota ka nevojë për ne dhe kujdesin tonë ndaj saj si dhe dha zotimin se projekte të ngjashme çdoherë do të kenë mbështetjen e tij.