Sheriati evropian

Prishtinë | 17 Sht 2026 | 11:32 | Nga Kimete Berisha

(Monstrumi i Drejtësisë.)

Pa fakte.

Pa prova.

Pa shenja gishtërinjsh.

Pa ADN.

Pa fotografi.

Pa gjurmë.

Mjaftojnë dy burra dhe një grua, ose,

edhe më zi se në sheriat, mjafton një dëshmitar që thotë se e ka parë njërin duke e mbytur tjetrin.

Gjyqtari Smith thotë: viktima nuk është parë më.

Besohet se është vrarë.

Pra, në këto dhoma të horrorit, edhe “besimi” u bë “fakt material”.

U bë fe.

Dhe pastaj del se vendi ku janë mbajtur të arrestuar vrasësit e shqiptarëve – bashkëpunëtorët e Serbisë – nuk paska qenë luksoz.

S’paska pasur banjo.

As shampo për flokë të thatë.

Krimi i luftës po merrte përmasa kozmetike.

Unë kam qenë në luftë.

Në mes të saj.

Në terr informativ, pa telefon, pa rrymë, pa bukë, pa armë, të rrethuar anë e katër anë nga policia serbe, ku as ndihmat humanitare s’depërtonin – e dikush paska mundur ta dijë se çfarë po bënte dikush tjetër në një shtëpi pa drita.

NATO hidhte letra nga avionët.

I shkruante policisë serbe se e dinte që po na mbanin si mburojë të gjallë.

Ne nuk dinim as ç’po na ndodhte neve, lëre më çfarë u ndodhte të tjerëve.

Kuvendi i Kosovës, i bindur se UÇK-ja ishte e pastër, i themeloi Dhomat Speciale.

Nuk e dinte, s’kishte si ta dinte, se Gjykata Speciale mund të shndërrohej në një sheriat të frikshëm në mes të Evropës.

Në një monstrum të Drejtësisë.

Dhe kjo është e trishtë.

Jo faji i tyre, sepse lufta s’mund të jetë e bukur dhe s’ka bukuri të përgjakur,

por mungesa e fakteve… është tragjedi.

Vendimi për dënimin e tyre, i mbështetur në “besim”, “përshtypje” e “gojëdhëna”, është sheriat.

E kjo që ka ndodhur në Hagë është sheriat evropian.

EPILOG

E tani i shohim shqiptarët që shkruan libra kundër UÇK-së,

artistët që penguan një film për UÇK-në, pasardhësit e ish-elitave komuniste

që ua zënë vendet e punës katundarëve heronj dhe mercenarët e farkut që paguheshin për të luftuar, por nuk luftuan

– duke festuar bashkë me serbët…

se liria ishte një gabim.

Të mos ishte gabim, çlirimtarët nuk do t’i dënonte liria.

P.S. Mua më shpëtoi UÇK-ja. Me familje.

Nanës sime ia dhanë çelësin e magjes. Ushtarët na gatuan darkën e parë në luftë: një tepsi pite nën dritën e llambës, në ahurin me mure prej balte, të cilat i mbështolla me çebe kuajsh… që të dukej më bukur.

Në luftë pija cigare, qaja, nuk shkruaja, por ëndërroja.

Në liri nuk pi më cigare, nuk qaj, shkruaj, por nuk ëndërroj.

Dhe herë pas here them: ndoshta më mirë të isha vrarë në luftë. Të isha vrarë me kohë.

Një herë.

Ëndrrat… nga lufta nuk u kthyen.

Të ngjashme