Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, do të shqyrtohen hapat e ardhshëm dhe mundësitë institucionale për veprim, raporton Ekonomia Online.
Totaj, para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, tha se bëhet fjalë për një moment të ndjeshëm që, sipas tij, mund të ndikojë edhe në të ardhmen e shtetit të Kosovës.
“Po çfarë vendime dojnë me u marrë përpara nuk e di, por do të kemi një takim ku do të analizojmë hapat e ardhshëm, si do të veprojmë, si do të sjellemi, sepse është një moment mjaft i ndjeshëm, i cili përcakton mjaft edhe të ardhmen tonë si shtet”, tha ai.
Ai tha se në mbledhje do të diskutohet edhe për rrugët institucionale dhe mundësinë e apelimit të vendimit, ndërsa ka kërkuar që Qeveria të angazhohet më shumë për këtë çështje.
“Do t’i bisedojmë e do t’i diskutojmë. Rrugët institucionale, marrja me çështjen e apelimit të këtij vendimi, edhe sinqerisht me shpresë se qeveria do t’i hapë sytë, do të përballet me realitetin edhe do të japë një kontribut më serioz, sepse e dimë qysh janë zgjedhjet, e dimë që i ka ndalë fondet e mbrojtjes, edhe ajo mund të ketë qenë një element rëndues për këtë vendim që është marrë”, tha ai.
I pyetur nëse do të ketë një nismë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Totaj tha se kjo çështje do të diskutohet, por fillimisht duhet të vlerësohet nëse një nismë e tillë është e mundur të realizohet.
“Nuk e di, unë nuk kam informacione që ka një nismë të tillë ose është përmendë (zhbërja e Gjykatës), por tash në mbledhje bashkë me grupin parlamentar do të vlerësojmë edhe do të shohim se sa ajo është e mundur, sepse me sa kam informacione duhen edhe votat e komuniteteve jo shumicë, prandaj në qoftë se ka pengesa të kësaj natyre, e dimë që është e pamundshme, ndoshta edhe nuk ia vlen me u marrë me këtë temë. Mirëpo si opsion do të bisedojmë e do të diskutojmë”, tha ai.
