Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i është përgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit rreth thirrjes së tij për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.
Sherifi ka thënë se sikur të mos e kishte shtruar çështjen e “përgjegjësisë para qytetarëve” ai nuk do të i ishte përgjigjur Hotit, sepse siç thotë ai, për shqetësimet që ngre Hoti në postimin e tij, janë duke debatuar qe disa seanca të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se para se të përpiqet t’u veshë përgjegjësinë të tjerëve për pushtetin që ka marrë Hashim Thaçi, zoti Hoti duhet të jetë i vetëdijshëm se, siç thotë ai, populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë se LDK-ja bëri çdo gjë që kishte në duart e veta për t’i imponuar Kosovës Hashim Thaçin për president.
Ky është postimi i plotë:
Përgjigje ndaj apelit të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti drejtuar NISMËS Socialdemokrate!
Përmes një postimi në profilin e vet të Facebookut, kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti bëri apel publik që “AAK dhe Nisma të tregojnë vendosmëri për ta ndalur Thaçin përmes Kuvendit duke e mbështetur rezolutën e opozitës, përndryshe, qytetarët do ta ndalin atë përmes shprehjes së refuzimit masiv” dhe në këtë rast “AAK dhe Nisma do të bartin përgjegjësinë para qytetarëve njësoj sikurse PDK”.
Sikur të mos kishte shtruar çështjen e “përgjegjësisë para qytetarëve” as që do t’i isha përgjigjur shefit të Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse për shqetësimet që ngre në postimin e tij jemi duke debatuar qe disa seanca të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Zoti Hoti mendon se qytetarët e Kosovës kanë kujtesën e shkurtër dhe kanë harruar se në kohën kur Nisma për Kosovën hoqi dorë nga të gjitha funksionet udhëheqëse në koalicionin pas zgjedhor të VLAN-it vetëm e vetëm që t’i ndalej HashimThaçit mundësia që të vazhdojë rrënimin e shtetësisë së Kosovës, LDK-ja prishi VLAN-in vetëm për postet qeveritare që u ofroi PDK-ja e Hashim Thaçit.
Para se të përpiqet t’u veshë përgjegjësinë të tjerëve për pushtetin që ka marrë Hashim Thaçi, zoti Hoti duhet të jetë i vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë se LDK-ja bëri çdo gjë që kishte në duart e veta për t’i imponuar Kosovës Hashim Thaçin për president.
Nëse ka nevojë t’ia rikujtojmë zotit Hoti, mund t’ia publikojmë atë seancë kur NISMA dhe forcat tjera opozitare ishin kundër kandidaturës së Hashim Thaçit për president, sepse kishim bindjen e plotë që ai nuk i plotësonte kushtet për të qenë në një funksion që kërkon një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, ndërsa LDK-ja aplikoi të gjitha format e shantazheve dhe joshjeve ndaj deputetëve të kësaj partie për zgjedhur Hashim Thaçin president.
Nuk ka hipokrizi më të madhe se kur ata që dje i sollën Kosovës Hashim Thaçin president, sot kërkojnë nga kundërshtarët e zgjedhjes së presidentit që ta “ndalin HashimThaçin”!
Para se të akuzojnë të tjerët për përgjegjësi eventuale në një të ardhme hipotetike, do të kishte qenë e ndërgjegjshme që zoti Hoti t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për vendosjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit të vendit.
Ata që kanë përcjellë me shqetësim situatën nëpër të cilën kalon vendi janë të informuar hollësisht me qëndrimet konstruktive dhe konstante të NISMËS Socialdemokrate. Pa marrë parasysh nëse jemi në opozitë apo në pushtet, orientimi i partisë sonë është ngushtësisht i lidhur me interesin e qytetarëve të Kosovës. Nëpërmjet të gjitha qëndrimeve zyrtare, ne i kemi bërë të ditur rreziqet që i kanosen vendit tonë dhe për këtë arsye kemi kërkuar një konsensus sa më gjithëpërfshirës në hartimin e një platforme të përbashkët për dialogun me Serbinë.
Pa marrë parasysh nëse jemi në pozitë apo në opozitë, NISMA Socialdemokrate ka bindjen e plotë se shmangia e rreziqeve nuk bëhet përmes një rezolute “për të ndalur Hashim Thaçin”, por rreziqet që i kanosen Kosovës mund të ndalen vetëm përmes hartimit të një platforme të qartë për dialog dhe përfaqësimit të Kosovës nga një delegacion shtetëror ku do të përfshihej tërë spektri politik. Refuzimi për të qenë pjesë e hartimit të platformës së përbashkët dhe përfaqësimit unik përballë Serbisë nuk shkon në funksion të ndaljes së Hashim Thaçit, përkundrazi një qasje e tillë shkon në funksion të forcimit të tij!