Sheshi i qytetit të Pejës ka filluar të marrë pamje festive në prag të festave të fundvitit me stolisjet që janë bërë nëpër lokale private, ndriçimet dhe bredhi i vendosur në mes të sheshit.
Mirëpo për këtë stolisje të sheshit, që e kanë bërë disa biznese pejane, Komuna e Pejës nuk ka kontribuuar me asnjë cent nga arka e saj, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është viti i katërt me radhë që Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Vitet e mëparshme Komuna e Pejës ka pasur rregullisht një kod në të cilin kanë qenë 10 mijë euro të dedikuara për stolisje të qytetit. Edhe në vitin 2014 ky buxhet ishte planifikuar për vitin 2015, por mjetet nga ky kod ishin marrë për të paguar borxhe të komunës për kontestet e saj të humbura gjyqësore.