Viktima nuk ka kërkuar mbrojtje nga Policia pas kërcënimit të marrë nga i dyshuari andaj edhe nuk i është ofruar një gjë e tillë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një konferencë për media në të cilin janë bërë të ditur detajet për rastin e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.
Valbona Marku- Nrecaj bashkë me të bijën janë vrarë nga burri respektivisht babai, Pjeter Nrecaj me një breshëri automatiku.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë në Gjakovë, Ahmet Hasi, teksa bëri të ditura detajet nga rasti është arsyetuar me mungesën e kohës për arrestimin e të dyshuarit.
“Nga viktima nuk është kërkuar mbrojtje apo strehim. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor ndërsa pas një kohe është konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se ka kryer krimin”.
Sipas nënkolonelit Hasit, i dyshuari nuk ka qenë i njoftuar për veprën e kryere deri në seancën dëgjimore. Kjo pasi sipas tij, për shkak të gjendjes së rëndë psikike dhe fizike. Madje Hasi ka bërë të ditur se i dyshuari ka pas lëndime serioze në kokë.
“Gjendja e tij psikike ka qenë shumë e rëndë në rastin kur ka rënë në duar të Policisë dhe arrestuar. Është marrë në pyetje, por nuk i kemi shpjeguar detajet për shkak të gjendjes së tij psikike dhe fizike”.
“Gjithë shqetësimi i saj nuk ka kërkuar ndonjë ndihmë tjetër. Koha ka qenë shume e shkurtër kemi provuar në disa lokacione nuk kem pas sukses për shkak të kohës”.
“Viktima nuk ka kërkuar mbrojtje sepse e ka ndjerë vetën të sigurt tek vëllezërit e saj. I dyshuari ka pas lëndime, por janë gjëra që po i heton Prokuroria. Ka pas lëndime serioze në kokë i dyshuari ka pas lëndime”.
Armend Zenelaj nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, tha se të gjitha rastet, veçanërisht ato të dhunës në familje, trajtohen me seriozitet.
“Dje ka filluar të mbahet seanca dëgjimore, pas njoftimi se i njëjti ka privuar nga jeta gruan dhe vajzën e tij i pandehurin është alivanosur edhe seanca është ndërpre”.
“Prokuroria të gjithë rastet i trajton me seriozitetin më të madhe veçanërisht në dhunën në familje”.
Ndërsa Agim Pula mbrojtës i viktimave, tha se pas informacioneve për dhunë në familje muaj më parë janë marrë të gjitha masat, mirëpo përkundër ofrimit të ndihmës e strehimit nuk e ka pranuar një gjë të tillë, raporton EO.
“Ne si mbrojtës i viktimave i kemi ofruar të gjitha informacionet. Është ofruar edhe strehim por e njëjta nuk ka pranuar duke deklaruar se do të strehohet tek familjarët e vet. Vëllai i saj është deklaruar se do t’i marr në mbikëqyrjen motrën dhe pesë fëmijët e saj”.
“Nuk kam informacione se jo e ka shpreh ndonjë brengë në zyrën e mbrojtjes së viktimave. Ditë më parë i dyshuari P.N ka vrarë gruan dhe vajzën e tij. Për shkak të gjendjes së tij jo të mirë psikike dhe fizike,seanca dëgjimore është shtyrë për një ditë tjerë”.
Pjeter Nrecaj aktualisht gjendet në QKUK dhe pas lirimit nga spitali pritet të vazhdojë seanca.
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime ndaj zyrtarëve policorë që ishin të përfshirë në këtë rasti.