Telekomi i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën komunikimi përmes telefonisë Vala ka qenë i pamundur në disa zona për shkak të disa problemeve teknike në sistemin operativ të Valës.
Në një njoftim publik, Vala ka thënë se ekipet teknike janë duke bërë përpjekje për të eliminuar të gjitha problemet e shfaqura.
“Për shkak të disa problemeve teknike të shfaqura në sistemin operativ të VALA-s gjatë ditës së sotme, janë evidentuar kohë pas kohe pengesa në komunikim dhe si pasojë komunikimi nuk ka qenë i mundur në disa shërbime në rrjetin mobil të VALA-s në disa zona të caktuara. Ekipet teknike janë duke bërë përpjekje maksimale që të eliminojnë të gjitha problemet e shfaqura sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që ta rikthejnë funksionimin normal të gjitha gjithë shërbimeve si në gjendjen e mëparshme, për të siguruar komunikim të pandërprerë për të gjithë konsumatorët tanë”, thuhet në njoftim.
Në fund, Telekomi u ka kërkuar falje konsumatorëve që mund të kenë vështirësi në komunikim.