Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit janë shprehur të shqetësuar pas raportimeve të mediave vendore dhe atyre të Bosnjes lidhur me një marrëveshje të supozuar mes kryministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij boshnjak për prolongimin e vendimit të MTI-së që parasheh masa mbrojtëse ndaj importit të produketve të qumështit që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Kjo shoqatë përmes një komunikate për medie ka thënë se meqë nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një njoftim zyrtar për këto raportime, kërkojnë nga kryministri Haradinaj që të deklarohet qartë nëse ka bërë një marrëveshje të tillë me homologun e tij boshnjak gjatë Samitit Digjital në Shkup.
“Ne duam të cekim edhe njiherë që vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse për importin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, është një ndër lajmet më të mira që kanë ndodhur në sektorin tonë në vitet e fundit”.
“Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Bosnjën, ku kjo as që e njeh shtetin tonë dhe i referohet gjithmonë me UNMIK Kosovo ose Kosova dhe Metohija, ndërsa ekportimi i mallrave tona në këtë vend është pothuajse i pamundur”.
Qumështarët shpresojnë se raportimet për stopimin e këtij vendimi të jenë të pavërteta, ndërsa thonë se mbesin thellësisht të brengosur deri në një sqarim definitiv nga kryeministri Haradinaj.
Ata thonë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të mbrojnë interesat e prodhuesve vendës.
“Është momenti i fundit që institucionet kosovare të fillojnë të mbrojnë interesat e prodhuesve kosovarë dhe t’u japin atyre një mundësi të zhvillimit. Masa e paralajmëruar për mbrojtje nga prodhimet e Bosnjës është mirëpritur, dhe është e pakuptimtë që një masë e tillë të hiqet vetëm pas pak ditësh”.