Shitblerja e narkotikëve: 18-vjeçari kapet me disa qese marihuanë në Ferizaj

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar dje pasdite në Ferizaj, pasi një njësi policore që po patrullonte në afërsi të shkollës ‘Zenel Hajdini’, ka ndalur për kontroll një person të dyshuar.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit trupor, te 18-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe një mjet i mprehtë.

Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku kanë gjetur edhe një tjetër sasi të marihuanës, e cila ishte ndarë dhe ishte bërë gati për shitje.

Me urdhër të prokurorit, narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprat penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Të ngjashme