Istogu, sikur dhe shumë komuna të vendit, po përballet me reshje të vazhdueshme të shiut me ç’rast janë shkaktuar vërshime në pothuajse të gjitha pjesët e qytetit, por dhe më gjerë.
Për shkak të situatës së krijuar pas reshjeve të shumta të shiut, sot u mbajt mbledhja Shtabit Emergjent të Komunës së Istogut.
Ndër vendimet e marra nga ky shtab ishte edhe ndërprerja e mësimit për ditën e hënë.
Gjimnazi “Haxhi Zeka” Istog, SHFMU “Bajram Curri” në Istog, Kopshti i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” në Istog dhe SHFMU “Ndre Mjeda” në Rakosh nuk do të mbajnë mësim nesër, derisa në shkollat e tjera mësimi do të zhvillohet normalisht.
“Të nderuar mësimdhënës, nxënës dhe ju prindër pas reshjeve të mëdha të shiut në Komunën e Istogut, është vështirësuar qarkullimi dhe për shkak të rrezikut që paraqet kalimi i nxënësve në ato rrugë ndërprehët mësimi për ditën e nesërme me 21.11.2022 në këto shkolla: Gjimnazi “Haxhi Zeka” Istog, SHFMU “Bajram Curri” në Istog, Kopshti i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” në Istog dhe SHFMU “Ndre Mjeda” në Rakosh”.
Shtabi njofton se për çdo ndryshim do të njoftohen me kohë.