Me tri abstenime, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shkarkojë anëtarët e Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Ibër Lepenc”.
Mirëpo propozimi për këtë shkarkim shkaktoi një debat mes ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe zv.kryeministrit Hoxhaj.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se anëtarët e bordit kanë shpërndarë bonuse gjatë kohës kur kjo kompani ka qenë në humbje, raporton Ekonomia Online.
Sipas Llukës, kjo kompani ka humbje neto 4.2 milionë euro.
Mirëpo arsyetimi i ministrit iu duk i pamjaftueshëm zv.kryeministrit Enver Hoxhaj.
Ai tha se nuk e kupton vendimin e ministrit andaj edhe në këtë mbledhje do të abstenojë, ndërsa në rastet e tjera në arsyetim të tillë Hoxhaj tha se do të kundërshtojë.
“Është e pabazuar, nuk po e kuptoj a është shkaku me i shkarku… Nuk po shoh koncept dhe nuk po shoh qartësi se çfarë po duam të bëjmë me një ndërmarrje si Ibër Lepenci”.
Në përkrahje të ministrit Lluka doli shefi i tij, kryeministri Haradinaj, raporton EO.
Ai tha se është e papranueshme që një kërkesë e ministrit të mos zbatohet nga kompania së cilës i drejtohet.
“Nëse një ministër i shkruan një kompanie që mos me bë një punë, më vjen keq por unë do të qëndroj prapa ministrit se është i kabinetit tim. Kemi problem me këto komapanitë se kanë pasë liri. Edhe për rastin e postës unë jam për me i zbritë pak pagat, nëse vazhdojmë kështu mund të shkojë edhe në bankrotim”.