Komuna e Prishtinës ka shkarkuar sot edhe kryeshefin e ndërmarrjes për mirëmbajtjen e gjelbërimit “Hortikultura”, pak ditë pas shkarkimit të shefit të ndërmarrjes për mbledhjen e mbeturinave.
Lajmin e ka bërë të ditur asamblistja e Prishtinës, Fiknete Bejta.
Ajo tha se tek “Hortikultura” SH.A ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro.
“Një lajm tjetër i mirë për Prishtinën pas ndryshimit në KRM “Pastrimi” sot u shkarkua edhe Kryeshefi i NPL “Hortikultura”. Raportet e Auditorit Gjeneral nuk mund të mos konsiderohen. Dy këto ndërmarrje kishin opinion të kundër të ZKA-së. Për ata që nuk kanë njohuri të Audititimit – Opinioni i kundërt – jepet në rastet kur auditori nuk ka mundësi të formoj një opinion për shkak të mospërputhjeve që janë aq thelbësore të pasqyrave financiare, sa që këto mospërputhje sa pasqyrat financiare të prezantuar nuk përputhen në asnjë mënyrë”, tha ajo.
Sipas saj të gjitha faktet dhe argumentet janë paraqitur në raportet e auditimit derisa shton se ndërmarrjet publike të qytetit meritojnë qasje menaxheriale që rritë vlerën tyre dhe jo vlerën e pasurive të menaxherëve.