Daljet emergjente të bllokuara, sistemi i ndalur i alarmit dhe “shkelje të tjera evidente” të rregullave të sigurisë, kanë ndikuar në shtimin e numrit të të vdekurve, pas një zjarri që ka nisur në një qender tregtare të dielën në Siberi.
Në këtë incident deri më tash kanë vdekur 64 persona, derisa në pamjet nga ky vend janë parë vizitorë në panikë teksa janë hedhur nga dritaret në tentim për t’u larguar nga zjarri, kanë thënë hetuesit rusë.
Përmes një deklarate, Komiteti Hetues ka thënë sot se dëmet nga zjarri që ka nisur në qytetin Kemerevo mund të kishin qenë shumë më të pakta, nëse nuk do të ishin të pranishme shkeljet gjatë punimeve të ndërtesës.
“Hetuesit kanë gjetur se një varg shkeljesh kanë ndikuar në këto pasoja të rënda”, ka thënë zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.
Për shkak të shkeljeve të shumta “duket se daljet emergjente kanë qenë të bllokuara”, ka thënë ajo.
Petrenko ka thënë se autoritetet janë duke konsideruar arestimin e rojes së sigurisë, “i cili e ka ndaluar sistemin e alarmit pavarësisht se ka pranuar sinjalin për zjarr”.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi ministri për Situata Emergjente, Vladimir Puchkov, ka thënë se 64 persona kanë vdekur nga zjarri në Kemerevo, rreth 3,000 kilometra në lindje të Moskës.