Shkelzen Gashi: Haradinaj-Stublla e di që s’do bëhet deputete, prandaj dha dorëheqje

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Analisti  Shkelzen Gashi ka thënë se Meliza Haradinaj-Stublla, ka dhënë sot dorëheqje për tri arsye të cilat ai i sheh si reale në atë që ajo sot u tërhoq nga detyra e Ministres së Punëve të Jashtme.

Gashi madje thotë se kjo dorëheqje e Haradinaj –Stubllës ndodhi meqë ajo është në dijeni që nuk do mund të jetë deputete në legjislaturën e ardhshme.

”Nuk po jep dorëheqje një ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, por po jep dorëheqje një ministre në Detyrë”.

”Po jep dorëheqje nga krejt pozitat që ka në subjektin politik që i takon, sepse ky subjekt politik ka pësuar rënie për të paktën 39% të votive në krahasim me zgjedhjet e vitit 2019”.

”Dhe se ajo e di,që nuk ka me qenë deputete në legjislaturën që po vjen”.

”Këto tri arsye janë të rëndësishme me i potencu, për shkak se kjo i  ngjan shumë dorëheqjes së ministres Hykmete Bajrami, edhe pse motivet nuk janë të njëjta”.

”Mua më bëri përshtypje sepse kjo tha që nuk  ndjen përgjegjësi për akuzat që ia kanë bë. Dhe se ajo tha që ‘’jemi duke kërkuar ekspertë ndërkombëtarë’’ për të hetuar vërtetësinë e akuzave”.

”Çka më bëri përshtypje që tha se ‘’u cënua imazhi, nderi dhe puna ime’’.  Cila është puna e saj, cili është imazhi i saj?”.

”Çka ka bërë ky person përpara, dhe çka bëri për gati një vjet sa e udhëhoqi Ministrinë e Punëve të Jashtme”.

”Mua më dhemb që secila ministri përdoret kështu, dhe iu jepet personave që nuk janë të dëshmuar, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme”.

Të ngjashme