Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për numërimin e votave me kusht dhe atyre të diasporës për kandidatët e AAK-së, raporton Ekonomia Online.
Sipas KQZ-së, nga evidenca rezulton se personi në fjalë ka qenë i angazhuar në numërimin e disa votave me kusht dhe atyre me postë.
KQZ-ja ka shkuar edhe më tej, pasi ka mbështetur rekomandimin e QNR-së për të rinumëruar edhe 7 vendvotime gjatë numërimit të të cilave ka qenë i angazhuar personi që përmendet në videon e transmetuar nga mediet.
Gjatë kësaj mbledhjeje të KQZ-së u bë e ditur se ky institucion ka njoftuar Prokurorinë̈ e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se e kanë obligim ligjor që të respektojnë vendimet e PZAP-së.
“Kemi vendimin që të rinumërohen votat e AAK-së që kanë ardhur me postë dhe kusht. Këto vendvotime që ne do të vendosim janë ato që kanë shkuar sipas ankesave”.
“E kemi obligim ligjor që ti respektojmë vendimet e PZAP-së, dhe kemi rekomandimin e QNR-së ku ka qenë prezent ky person që të rinumërohen. Kush është që të rinumërohen edhe njëherë këto 7 vendvotime”.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, tha se vendimet e PZAP-së janë të paqarta.
“Nuk e kuptova drejt këto vendime janë të PZAP-së që i ka marrë në mënyrë të rregullt dhe a ka ndonjë vendim për rastin që e keni lajmëruar ju, a janë krejt këtu bashkë”.
Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, tha se rinumërimin do të fillojë në ora 16:00 në QNR.
“Janë vendimet e PZAP-së që duhet t’i zbatojmë pikë për pikë ashtu siç janë, dhe do t’i kërkojmë informacione shtesë”.
“Sot do të fillon procesi i të gjitha këtyre vendvotimeve dhe votave me kusht, në orën 16:00”.