Reforma në tetë shkollat e Kryeqytetit do të nisë së zbatuari të hënën më 2 shtator. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë për Ekonomia Online se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mësimin tërëditor, ndërsa nga shkolla “Emin Duraku” e kanë mirëpritur këtë reformë.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë kryer të gjitha përgatitjet për mësimin tërëditor. Sipas saj, ky vendim i Komunës së Prishtinës është i guximshëm, ndërsa presin të ndikojë në përformancë të mirë tek arsimtarët e nxënësit.
“Për Komunën e Prishtinës kemi bërë përgatitjet, kemi rinovuar një numër shumë të madh të shkollave, jemi bërë gati që të fillojmë edhe mësimin gjithëditor në disa shkolla në faza të ndryshme. Gjithçka ka shkuar sipas planit, deri këtu jemi shumë mirë, ka një atmosferë shumë pozitive, prindërit e kanë mirëpritur mësimin gjithë ditor si një hap i guximshëm i Kryeqytetit në të mirë të fëmijëve dhe të familjeve besoj që kjo do të ketë ngritje të cilësisë direkte, me ndikim jo vetëm tek nxënësi, por edhe tek avancimi i vetë arsimtarëve nga të cilët pritet më shumë performancë në një kohë më të zgjatur”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Drejtoresha e Arsimit në Kryeqytet ka pasur kritika për subvencionimin e teksteve shkollore. Pavarësisht shumës financiare që është ndarë nga Ministria e Arsimit, Lushaku-Sadriu e konsideron të gabuar këtë mënyrë.
“Furnizimi me libra në mënyrë se si është bërë për herë të dytë do të tregohet edhe këtë herë që do të ketë vonesa dhe nuk është furnizimi adekuat. Nga që Ministra si institucion i cili ligjërisht obligohet që të sigurojë libra për fëmijë, po i subvencionon prindërit dhe në njëfarë forme po e hedh përgjegjësinë tek prindërit. Pavarësisht shumës financiare ne mendojmë që kjo nuk është formë e duhur, është formë më maltretuese për prindërit. Prindërit pastaj nuk janë krejt të informuar se cilat libra t’i blejnë krejt procesi i informimi të tyre, i angazhimit për t’i blerë librat a ka në librari apo nuk ka, janë dy tre botues që varet se cilat libra i kanë përzgjedhur shkollat. Për prindin është një hamendësim tepër i madh, tani ne mendojmë që edhe furnizimi do të zgjatë dhe rrjedhimisht do ta ndikojë në cilësinë arsimore, por kjo është përgjegjësi e arsimit”.
“Për tani nuk kemi asnjë informatë ne kemi informatë nga informacione prej Ministrisë se sa kanë aplikuar por kjo nuk do të thotë që ata i kanë blerë librat deri në këtë kohë reale. Jam e informuar se shumë librari në Prishtinë nuk i kanë librat e të gjithë botuesve dhe një prindi i bie në katër librari të ndryshme me i ble librat për shkak se nuk i gjejnë të gjitha librat. Do të humbasin shumë orë pa libra dhe asnjëherë nuk kemi garanci që fëmijët do t’i kenë librat deri në fund të vitit. Po do ta shohim dhe ne do ta matim javë pas jave dhe do t’i kemi statistikat e sakta se sa prej fëmijëve i kanë librat e reja që i kanë blerë dhe sa prej tyre janë të furnizuar me libra”, ka thënë ajo.
Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”, institucion ky që nga e hëna do të mbajë mësimin tërëditor, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë reformë.
“Ne si shkollë jemi të gatshëm jemi pjesë e reformave që kanë ndodhur në tetë shkollat në Komunën e Prishtinës, ne mbetemi shkolla e mesëm e ulët prej klasës së gjashtë deri në të nëntën, në binjakëzim me shkollën Model, kemi ndërruar nxënësit aty mbetet 1-5, këtu janë 6-9. Sa i përket projektit të gjitha janë të gatshme, në verë kemi pasur disa investime të ndryshme për rregullimin e infrastrukturës dhe krijimin e ambientit sa më të mirë për fëmijët. Një shumicë e fëmijëve vetëm i kanë blerë librat dhe u kanë dalë mjete, sivjet e mira është prindërit kanë pasur mundësi më herët të i blejnë librat dhe mos ta lënë në moment të fundit, ajo është zgjedhje e ministrisë mënyra e subvencionimit, kanë pasur tri javë kohë të blejnë librat”, ka thënë Osmani, teksa mënyrën e subvencionimit të librave, nuk e sheh fort problem.
“Edhe un jam prind dikur kam qenë nxënës edhe ne i kemi blerë nuk ka qenë ndonjë problem sepse ato blihen një herë në vit. Urojmë që të mos ketë mungesë të teksteve dhe të gjitha të janë dhe të mos ketë vonesa në tituj të caktuar të librave janë përzgjedhur dhe kanë munguar. Është jashtëzakonisht më mirë, mësimi tërëditor është shumë i dobishëm për fëmijët e vegjël për familjet për mësimzënien, është mirë që është ndarë nivelet Komuna e Gjakovës, Shtimes dhe e Vushtrrisë, ka vite që e praktikojnë ndarjen e niveleve në objektet të ndryshme. Prishtina mendoj që është shumë vonë por më mirë vonë se fare, kjo që është duke ndodhur e vlerësojë shumë mirë sepse në shkollën tonë kanë qenë diku 70 nxënës në qëndrim ditor që prindërit janë detyruar t’i lejnë për ta mos humbin punën, ka raste që prindërit kanë hequr dorë prej punës për t’u marrë me fëmijë”, u shpreh ai.