OJQ “Syri i Vizionit” ka organizuar një tryezë në Pejë për strategjinë e përfshirjes së komuniteteve: romë, ashkalinj dhe egjiptianë në shoqërinë kosovare, me theks të veçantë të familjeve të riatdhesuara dhe ndërlidhja e fëmijëve të tyre në procesin arsimor e edukativ. Është konstatuar se kushtet ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që fëmijët e këtyre 3 komuniteteve në Pejë mbesin shpesh larg bankave shkollore, shkruan sot Koha Ditore.
Jahë Tolaj nga Departamenti për riintegrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregoi se për integrimin në procesin arsimor të fëmijëve të riatdhesuar punon ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe janë në komunikim me zyrat komunale të komuniteteve dhe kthimit.
Një nga problemet më herët, siç tha ai, për integrimin e këtyre fëmijëve në procesin arsimor e edukativ kanë qenë edhe mungesa e dokumentacioneve për klasat e kryera në vendet nga janë kthyer ato familje. Mirëpo tashti, siç tha ai, shkollat janë të obliguara t’i ndërlidhin në procesin mësimor ata fëmijë të riatdhesuar edhe nëse nuk i kanë dokumentet për klasat e kryera në vendin nga janë kthyer.
Këto dokumentacione, siç tregoi Tolaj, sigurohen pastaj edhe përmes ambasadave që janë në Kosovë.