Shkon në 153 numri i të vdekurve në Korenë e Jugut

Prishtinë | 30 Tet 2022 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar në 153 numri i personave që kanë vdekur nga shtypjet gjatë natës së festimit të Halloween-it (Natës së Shtrigave) në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Ndërsa 82 të tjerë janë plagosur.

Mes të vdekurve janë edhe 20 shtetas të huaj, thonë shërbimet e urgjencës në Seul, raporton BBC.

Incidenti vdekjeprurës i 30 tetorit, i cili raportohet se ka nisur pas orës 22:00 me orën lokale, ndodhi në Itaewon – një zonë të njohur të jetës së natës – në festimin e parë të Halloween-it që nga pandemia e koronavirusit.

Pamjet e një nate më parë nga Seuli shfaqin dhjetëra kufoma të mbuluara, zyrtarë të emergjencës që intervenojnë te të lënduarit dhe njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin për të shpëtuar nga shtypja.

Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.
Ekipi i shpëtimit dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes ku mbi 140 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë festivalit Halloween në Seul, Koreja e Jugut. 30 tetor 2022.

Raportohet se kishte paralajmërime se rrugët do të ishin të mbushura me njerëz, por ende nuk dihet se si filloi përplasja e turmës.

Aktori Park Jung-hoon tha se turmat ishin “disa dhjetëra herë më të mëdha” se në Krishtlindje ose gjatë shfaqjeve të fishekzjarreve.

Reagimet ndërkombëtare

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në Twitter se ndihet i pikëlluar për atë që ndodhi në Seul.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe miqtë e të vdekurve dhe të plagosurve”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin korean.

“Franca është me ju”, ka shkruar ai në Twitter.

Lideri kinez, Xi Jinping, i ka dërguar një mesazh homologut të tij të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke i ofruar ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre, raporton media shtetërore kineze CCTV.

Ai tha se në këtë fatkeqësi kishin humbur jetën katër kinezë dhe dy të tjerë ishin lënduar.

Të ngjashme