Shkon në 22 numri i të vdekurve nga sulmi në aeroportin e Jemenit

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Së paku 22 persona janë vrarë dhe mbi 50 të tjerë janë plagosur në një sulm në aeroportin e Adenit në Jemen.

Një shpërthim ndodhi pak minuta pas aterrimit të aeroplanit në të cilin ndodhej kabineti i ri qeveritar, i cili është përkrahur nga Arabia Saudite dhe erdhi pikërisht nga ky shtet.

Në mesin e viktimave ka edhe punëtorë të ndihmave dhe zyrtarë shtetërorë. Sidoqoftë, kryeministri tha se pjesëtarët e kabinetit të tij janë mirë.

Ministri i Informacionit i akuzoi rebelët Houthi për këtë sulm, të cilin e cilësoi si terrorist. Rebelët Houthi dyshohet se kanë përkrahje të drejtpërdrejtë nga Irani.

Jemeni është rrënuar nga një konflikt që doli nga kontrolli në vitin 2015, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një operacion kundër rebelëve Houthi për ta kthyer në pushtet presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi.

Gjatë këtyre luftimeve raportohet se janë vrarë më shumë se 110.000 njerëz. Sipas Kombeve të Bashkuara, Jemeni tashmë përbën krizën më të madhe humanitare në botë. Miliona njerëz janë në rrezik që të vdesin nga uria.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme