Shkon në 22 numri i viktimave të Coronavirusit në ShBA

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar në 22 numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa më shumë se 500 të tjerë janë infektuar.

Më shumë se gjysma e pesëdhjetë shteteve të Shteteve të Bashkuara tashmë kanë raportuar raste të koronavirusit. Rastet e parë së fundi u konfirmuan në Virginia, Connecticut dhe Ioëa.

Zyrtarët shëndetësorë kërkuan që njerëzit t’i pakësojnë kontaktet e panevojshme mes vete aq sa kanë mundësi si masë për t’iu shmangur rrezikut nga infektimi, shkruan “France24”.

Senatori amerikan, Ted Cruz, tha se do të vendoset në karantinë për shkak se kishte pasur kontakte me një pjesëmarrës të një konference, i cili është konfirmuar si person i infektuar me koronavirus.

Pavarësisht përhapjes së virusit Covid-19, presidenti Donald Trump ka thënë se do të vazhdojë të mbajë tubime politike, në të cilat nganjëherë mblidhen deri në 20 mijë njerëz.

Koronavirusi është përhapur edhe në Evropë. Vendi më i goditur është Italia me mbi shtatë mijë persona të infektuar, ndërsa në Gjermani janë regjistruar rreth një mijë infektime. Së fundi, dy rastet e para u konfirmuan edhe në Shqipëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme