Shkon në 44 numri i personave të vdekur nga tajfuni Lekima në Kinën lindore. Autoritetet thonë se stuhia ka vazhduar edhe mëngjesin e kësaj të hëne, duke grumbulluar miliarda dollarë dëme ekonomike dhe prishur infrastrukturën rrugore.
Ministria e Menaxhimit të Emergjencave tha se më shumë se një milion njerëz ishin evakuuar në provincat Zhejiang dhe Jiangsu për shkak të tajfunit.
Raportet e medieve shtetërore treguan se shpëtimtarët lëviznin në ujin që iu arrinte deri tek beli, për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e tyre.
Lekima, tajfuni i nëntë i Kinës këtë vit, pritet të aktivizohet sërish përgjatë vijës bregdetare në provincën Shandong, duke shkaktuar më shumë anulime fluturimesh dhe mbylljen e disa autostradave.
“Tashmë ai ka dëmtuar më shumë se 189,000 hektarë tokë bujqësore, me të mbjella dhe 36,000 shtëpi në Zhejiang”, thanë autoritetet provinciale, duke vlerësuar humbjet ekonomike në 16.6 miliardë juanë (2.35 miliardë dollarë). Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se qyteti Qingdao në Shandong lëshoi një alarm të kuq për shi të fortë të dielën dhe mbylli të gjitha destinacionet e tij turistike për publikun, duke shtuar se 127 trena dhe të gjitha shërbimet e autobusëve në distanca të gjata ishin pezulluar.
“Mbi 3,200 fluturime u anuluan që nga e shtuna”, transmetoi transmetuesi shtetëror CCTV.