Ministria e Shëndetësisë në Palestinë tha të mërkurën se shifra e përgjithshme e viktimave të sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës ka shkuar në 53, përfshirë 14 fëmijë.
Në deklaratën e kësaj ministrie gjithashtu njoftohet se në mesin e viktimave ishin edhe tri gra, ndërsa gjithsej 320 persona kanë pësuar lëndime, shkruan Anadolu.
Tensionet në Gaza u rritën javën e kaluar, kur një gjykatë izraelite dha urdhër për dëbimin e familjeve palestineze nga lagjja Sheikh Jarrah e Jerusalemit Lindor.
Hamasi dhe grupet tjera islamike, përfshirë grupin Xhihadi Islamik, kanë hedhur qindra raketa në drejtim të Izraelit, shumica e të cilave janë shkatërruar në ajër nga sistemi izraelit i mbrojtjes “Kupola e Hekurt”. Sidoqoftë, disa raketa kanë rënë në tokë dhe kanë shënuar viktima edhe në anën izraelite.
Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur me aeroplanë bombardues dhe artileri të rëndë, duke goditur disa caqe për të cilat ka thënë se janë vende për hedhjen e raketave dhe shtëpi të liderëve të Hamasit.
Eskalimi i situatës po cilësohet si më i rëndi që nga lufta e vitit 2014 në Gaza. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, duke paralajmëruar se ekziston rreziku për luftë.