Shkon në dhjetë numri i viktimave nga përleshjet etnike në Kazakistan

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i brendshëm në Kazakistan, Aleksei Kalayichi, njoftoi se ka shkuar në dhjetë numri i personave të vrarë gjatë përleshjeve etnike në një fshat në pjesën jugore të këtij shteti.

Këto përleshje ishin ndër tensionet më të rënda etnike viteve të fundit në rajonin Zhambyl, i cili ndodhet rreth 130 kilometra në perëndim të kryeqytetit tregtar të vendit, Almaty. Autoritetet rajonale e shpallën gjendjen emergjente për shkak të dhunës ndëretnike.

Ende nuk dihet zyrtarisht se cili ishte shkaktari i konfliktit, por kazakët zakonisht kanë pasur tensione me një grup myslimanësh me prejardhje kineze.

Tetë persona vdiqën në vendin e përleshjeve, ndërsa dy të tjerë vdiqën më vonë në spital, pavarësisht trajtimit mjekësor.

Zyrtarët thanë se 140 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Kazakistan dhe dhjetëra të tjerë në Kirgistan, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Raportohet se fshatarët e sulmuan njëri-tjetrin në grupe dhe disa banda i dëmtuan shtëpitë dhe veturat. Kështu, shumë njerëz u detyruan të ikin drejt Kirgistanit fqinj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme