Numri i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara deri të dielën në mbrëmje, sipas kohës lokale, ka shkuar në 41,186 persona.
Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 1,629 viktima të reja. Rritje pati edhe në shifrën e të infektuarve. Për një ditë u shënuan 25,596 raste të retja të të prekurve dhe kështu numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 771,980.
Shtetet e Bashkuara ndodhen bindshëm në vendin e parë në botë si për numrin e të vdekurve nga koronavirusi, ashtu edhe për numrin e të infektuarve. Pas tyre vijnë Italia dhe Spanja, shkruan “Daily Mail”.
Shifrat e reja u publikuan në kohën kur hulumtuesit e Harvardit kërkuan që së paku 500 mijë persona duhet të testohen çdo ditë, nëse vendi shpreson ta ulë shkallën e infektimeve.
Tash për tash, në Shtetet e Bashkuara janë duke u testuar rreth 150 mijë njerëz në ditë. Vetëm 3 milionë e 865 mijë amerikanë janë testuar deri më tani, që paraqesin pak më shumë se 1 për qind të popullsisë.