Shkon në mbi 50 000 numri i viktimave të Coronavirusit në Brazil

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Brazili, vendi i dytë më i prekur nga pandemia pas Shteteve të Bashkuara, zyrtarisht e ka kaluar shifrën prej 50,000 viktimave të Coronavirusit të dielën.

Shteti më i madh i Amerikës Jugore tash i ka 1,085,038 raste të infektimeve dhe 50,617 viktima. Në 24 orët e kaluara, në këtë vend u shënuan mbi 630 të vdekur nga sëmundja e re, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Ekspertët thonë se numri i vërtetë i rasteve është shumë më i madh për shkak të mungesës së testimit masiv të popullsisë. Brazili mesatarisht i ka regjistruar mbi 1,000 të vdekur në ditë, por shifra zakonisht është më e ulët gjatë fundjavës.

Rasti i parë i personit të infektuar me Covid-19 në Brazil ishte shënuar më 26 shkurt, ndërsa të premten shifra shkoi në mbi një milion të prekur. Përhapja e pandemisë ka ndikuar në rënien e përkrahjes për presidentin Jair Bolsonaro dhe ka ngjallur frikë për kolaps ekonomik.

Bolsonaro është kritikuar ashpër për mënyrën se si është marrë me pandeminë. Brazili ende nuk ka ministër të Shëndetësisë pasi dy individë që e mbanin këtë post u tërhoqën shkaku i përplasjeve me presidentin.

Presidenti kundërthënës e ka kundërshtuar vazhdimisht vendosjen e masave kufizuese, duke i cilësuar ato si më të rrezikshme se vetë virusi. Ai gjithashtu e ka promovuar përdorimin e dy substancave për luftimin e sëmundjes, ndonëse ka pak dëshmi për efikasitetin e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme