“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt i thërret kujtesës kolektive

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 10:01 | Nga

“Shkrepëtima” e rikthen para audiencës kosovare, sado që fshati Runik është përmendur goxha shpesh kur Petrit Halilaj ka prezantuar artin e tij nëpër galeritë më prestigjioze të botës.

Halilaj, i cili vitin e kaluar u bë artisti i parë shqiptar që merr çmim në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, kur vitin e kaluar në edicionin e 57-të mori “Mirënjohje speciale”, është fort i lidhur me rrënjët. Kjo do të dëshmohet në një performancë që do ta shfaqë të shtunën para rrënojës së Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt.

Performanca e paralajmëruar si ndërhyrja e parë e këtij niveli nga Halilaj në një hapësirë publike, tubon mbi 30 aktorë e muzikantë. Titulli i saj nuk është vënë krejt rastësisht. “Shkrepëtima”, siç ishte shkruar shkreptima, ka qenë titulli i një reviste multietnike të publikuar gjatë viteve ‘70 e ‘80 nga mësuesit e nxënësit e Runikut.

Hana Halilaj, përgjegjëse për komunikim e fondacionit “Hajde” – që ka organizuar performancën bashkë me Departamentin e Edukimit të fondacionit “Merz” organizuan punëtorinë “Si Okarina e Runikut” në shkollën fillore “Shotë Galica” në Runik – ka thënë se performanca që do ta sjellë Halilaj, funksionon si shkëndijë në kërkim të inicimit të vetëdijes kulturore dhe transformimeve shoqërore në komunitetin e tij.

“Skena e performancës do të animohet nga skulptura lëvizëse, projeksione të dritave dhe një skenografi e jashtëzakonshme e krijuar prej Petrit Halilajt nga rrënojat e ndërtesës, i inspiruar nga kujtimet kolektive të qytetarëve të Runikut. ‘Shkreptima’ do të risjellë fragmente nga disa prej dramave më të njohura shqiptare që janë performuar në teatrin e këtij objekti nga aktorët amatorë të Runikut gjatë viteve ‘80”, ka thënë Halilaj. Aty përfshihen “Toka jonë” nga Kolë Jakova, “Cuca e Maleve” e Loni Papës, “Nita” e Josip Relës dhe “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendit.

Fragmentet e përzgjedhura për këtë performancë do të performohen nga Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Tristan Halilaj, Rrezarta Haziraj, Qendresë Kajtazi, Bislim Muçaj, Agnes Nokshiqi, Behie Murtezi, Ermal Sadiku, Edon Shileku dhe Alketa Sylaj.

“Shkrepëtima” do të përfundojë me koncert të Fatime Kosumit, muzikante nga Kosova, e cila muzikën e lidh direkt me ndikimin që ka tradita në shoqërinë moderne.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme