Dëshironi të punësoni një punonjës të ri? Keni marrë aprovimin e duhur dhe keni edhe fondet e duhura për të marrë një anëtar të ri në ekipin tuaj dhe kështu duket sikur puna më e vështirë ka kaluar. Në vazhdim ajo që duhet të bëni është të shkruani një njoftim për pozicionin e lirë dhe ta publikoni atë. Por a do të tërhiqni kandidatët e duhur me postimin që do të bëni?
Kushtojini pak më shumë kohë shkrimit të njoftimit që të jetë i organizuar mirë dhe postojeni atë në vendin e duhur që të bëni kështu dallimin nga postimet e tjera. Më poshtë janë 5 mënyra se si mund të shkruani një lajmërim shumë të mirë pune.
1. Mendoni si një shitës
Duhet të keni parasysh që shkrimi i një lajmërimi për punë kërkon kohë dhe aftësi. Duhet të mendoni si një shitës dhe jo si dikush që po poston një përshkrim pune. Kontrolloni për lajmërime pune të ngjashme në industrinë tuaj për të kuptuar konkurencën. Përdorni fjalë kyç ose shprehje që t’ju dallojnë nga të tjerët. Mund të përfshini për shembull fjalë si: e re, inovative, sfiduese duke e bërë kështu përshkrimin e punës unik dhe shumë tërheqës për kandidatët.
2. Tregohuni shumë specifikë
Duhet të jeni shumë të detajuar për tipin e kandidatit që kërkoni të punësoni. Përfshini kualifikime ekzakte për pozicionin dhe ato aftësi që do e bënin një person kandidatin ideal.
3. Më “pak” është më “mirë”
Një lajmërim efektiv duhet të përmbajë vetëm informacionin e nevojshëm që i duhet një kandidati për të aplikuar në atë pozicion. Gjithashtu duhet të jeni të qartë në ato që shkruani. Mund të përfshini në lajmërimin tuaj tituj kryesorë, mund ta klasifikoni informacionin në pika apo paragrafë dhe duhet gjithmonë të përdorni fjali të shkurtra. Shumë ekspertë mendojnë se nuk duhen më shumë se 15 fjalë në një fjali. Fjalitë e gjata në një paragraf të vetëm krijojnë konfuzion dhe ndoshta lexuesi nuk do e lexojë fare lajmërimin.
4. Theksoni atë që është unike
Në lajmërimin tuaj duhet të shpjegoni pse një kandidat i kualifikuar duhet të punojë me ju dhe jo me një kompani tjetër konkuruese. Njerëzit zakonisht duan të punojnë në kompani ku ata ndjejnë se përshtaten dhe ju duhet ta keni parasysh këtë fakt gjatë gjithë kohës që shkruani një lajmërim për punë.
5. Diskutojeni lajmërimin me të tjerët
Pasi ta keni shkruar lajmërimin, mund t’jua tregoni atë njerëzve që ju besoni dhe respektoni. Ata mund të vënë re diçka që ju mund ta keni harruar. Është gjithmonë më mirë kur dy sy të tjerë shohin dhe vlerësojnë krijimin tuaj. Pasi ata ta kenë lexuar lajmërimin mund t’iu bëni disa pyetje si: “A shpjegohet thelbi i pozicionit në këtë lajmërim”? “A është një lajmërim i qartë”? “A iu drejtohet ai kandidatëve më të mirë?”
Shkrimi i një lajmërimi për punë kërkon kohë, aftësi dhe punë, por ëshë një përpjekje që vlerësohet dhe jep rezultate në periudhë afatgjatë.