Shkupi kopjon modelin kosovar të krizës parlamentare?

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 16:11 | Nga Fadil Lepaja

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, Kosova kishte hyrë në një rreth vicioz të krizës politike, parlamentare dhe shoqërore, e cila vetëm me ndërhyrjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtarë u përmbyll me një koalicion të pabesueshëm për shumicën e qytetarëve, sidomos pas fushatës së egër parazgjedhore, ku krejt agresiviteti i LDK ishte drejtuar kundër partnerit të ardhshëm të koalicionit, pra PDK.

Në zgjedhjet e përgjithshme, të vitit 2014, në Kosovë, me pjesëmarrje të vetëm 42% votuesve nga numri i përgjithshëm, Partia Demokratike e Kosovës me koalicionin e çuditshëm ku përfshiheshin një parti islamiste, një demokristiane, një nacionaliste, dhe një konservative, fiton më së shumti vota, të cilat në total prapë se prapë nuk arrinin as 15% të elektoratit të përgjithshëm.

Kjo ishte vetëm 30% i 42% të votuesve dhe kjo përsëri nuk mjaftonte që koalicioni të formonte qeverinë, edhe pse sipas interpretimit (të dyshuar publikisht) të normës kushtetuese, kjo mjaftonte që nga presidentja e vendit të merrte mandatin për formimin e qeverisë.

Sidoqoftë kjo i mjaftoi që në pamundësi për të formuar e vetme qeverinë dhe pasi nuk kishte parti tjetër serioze të vullnetshme për të bashkë qeverisë me të, partia e udhëhequr nga H.Thaçi asokohe, zgjodhi strategjinë e krijimit të krizës, përmes zhagitjes në parlament, fillimisht përmes kryesueses Brovina, të përzgjedhur si kryesuese e parlamentit, për nga mosha, dhe më pas përmes debateve të pafund dhe tejet destruktive, ku akuzoheshin partitë opozitare për gjithçka që u vinte ndërmend, mjaftonte që kjo të siguronte kohën e nevojshme për presion te partitë e opozitës.

Lufta në parlament ishte krejtësisht jo e dinjitetshme por mesazhi i saj ishte i qartë dhe kjo ishte se nuk ka mundësi që të formohet qeveri tjetër pa u rrezikuar vendi.

Oligarkia e krijuar pas lufte dhe e ndodhur para kërkesës qytetare për llogaridhënie, kishte luajtur lojën krejt ose asgjë dhe kishte fituar.

Rrethanat në Maqedoni, pas zgjedhjeve të fundit, në dukje të parë mund të mos shihen si të ngjashme, apo si veprim sipas një modeli të njëjtë.
Kjo në radhë të parë sepse në Maqedoni krejt kjo komplikohet me karakterin binacional të shoqërisë, ku gjithçka, çdo mospajtim merr karakter ndërnacional.

Pas dështimit të VMRO të formojë qeverinë me partinë shqiptare BDI, me të cilën kishte qeverisur në mandatin e kaluar dhe i cili ishte mbyllur me afera të shumta që dolën nga fushata e njohur e “bombave” mediale , dhe protestave gjithëpopullore, VMRO , po ashtu një përfaqësuese e denjë e oligarkisë së re maqedonase, kishte nxjerrë mësim nga modeli kosovar i vitit 2014, dhe mbi principe pak a shumë të njëjta krijoi krizën e cila edhe përkundër presionit ndërkombëtarë, ende nuk po arrihet të tejkalohet , dhe të kurorëzohet me formimin e qeverisë së re.

As aferat e pafund, që dolën nga “bombat” e Zaevit, të cilat në fakt janë rreth 20000 regjistrime bisedash telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe partiak të VMRO dhe BDI të cilat përmbanin shumë skandale, nuk arritën të sigurojnë që VMRO të mos jetë partia me më shumë vota në parlament dhe me këtë të thirret në të drejtën e saj “morale” që ajo të jetë në qeveri dhe të akuzoj BDI për tradhtimin e partnerit në qeverisje. VMRO nuk hezitoj as të konstruktoj gjithçka për të denigruar personalitetin e liderit të BDI dhe anëtarëve të tjerë të udhëheqjes, sidomos duke i kontestuar ata edhe si nacionalist shqiptarë.

Por kjo nuk ishte arsyeja e hidhërimit të BDI dhe largimit të saj nga VMRO. Kryesisht për shkak të presionit perëndimor, por edhe elektoratit të vet të zvogëluar, BDI dhe kryetari i saj Ali Ahmeti hoqën dorë nga koalicioni i ofruar dhe pas skadimit të afatit të VMRO që të formojë qeverinë, ata filluan dhe përmbyllën me sukses negociatat për bashkëqeverisje me LSDM të z. Yaev, duke i siguruar atij shumicën e nevojshme parlamentare për të krijuar qeverinë.

Por, Platforma shqiptare, e cila u dakordua nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët, me ndërmjetësimin edhe të qeverisë shqiptare, u bë mollë sherri dhe njëherësh pretekst i partisë nacionaliste maqedonase VMRO që të kontestoj legjitimitetin e këtij koalicioni i cili sipas tyre rrezikon Maqedoninë unitare.

Në fakt, VMRO nuk duket se ka seriozisht problem me platformën pasi ajo kishte qenë e gatshme të pranojë ndoshta edhe më shumë se Yaev dhe LSDM, por qëllimi kryesor duket të jetë thyerja e properëndimorit Yaev dhe presioni i fuqishëm i cili tashmë synon që vet LSDM të e detyrojë të futet në koalicion të madh, për hir të Maqedonisë e cila gjoja sipas tyre, qenka e rrezikuar nga platforma shqiptare.

Përderisa, në Kosovë, pas pesë muajsh, me ndërmjetësimin e presidentes së vendit (që nënkupton ndërmjetësimin e SHBA dhe BE), arrihet koalicioni i “madh” i cili i shlyen si me gomë të gjitha armiqësitë parazgjedhore të cilat mund të lejonin gjithçka tjetër përpos një koalicion PDK-LDK, në Maqedoni nuk duket ende se sa është afër që LSDM e cila ishte përbetuar “kurrë me VMRO” të hyj në koalicion.

Rasti i Kosovës tregon se pas kësaj “martese me zor” e cila ishte imponuar nga faktori ndërkombëtarë për të siguruar arritjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme, sidomos me Serbinë, Malin e zi , por edhe me vetë serbët e Kosovës, rezultatet gjithsesi janë gjysmake, por ajo që rezultoi e suksesshme ishte se kjo marrëveshje siguroi ruajtjen e pushtetit të oligarkisë dhe degjenerimin e plotë të opozitës në procese aspak afirmative para botës dhe as të përkrahura seriozisht nga qytetarët e Kosovës, të cilët pas kërcënimeve serioze me destabilizim dhe me luftë qytetare u rreshtuan pas paqes me oligarkinë.

Koalicionin nuk e theu as ikja masive e qytetarëve nëpër rrugët klandestine nëpër Serbi, as korrupsioni galopant, degradimi ( grabitja) e pronës shoqërore, madje koalicioni vazhdon të jetë i fuqishëm në raport me opozitën, me popullin por krejt pak efektiv në përmbushjen e marrëveshjeve për çka është krijuar.

Sidoqoftë , përkundër kompromisit të vitit 2014, në Kosovë është arritur një sukses, sepse lufta e oligarkisë për të gëlltitur shtetin ka dalë sheshit, dhe është në zhvillim e sipër, ku qytetarët janë veç vështrues të pafuqishëm, por edhe procesi i dekriminalizimit ka krijuar çarje serioze në strukturën dikur monolite dhe të plotfuqishme të krimit. Rruga euro-atlantike e Kosovës në asnjë moment nuk mund të vihet në pyetje përkundër krizave të vazhdueshme që krijohen me këtë qëllim.

Po kriza në Maqedoni, çfarë drejtimi do marrë? A do të arrijë Maqedonia të formojë një qeverisje të re, duke i nxjerrë nga pushteti oligarkët e rinj maqedonas, apo do të kemi edhe atje një model kosovar të koalicionit “të madh” mbetet të shihet në të ardhmen e afërt. Sidoqoftë kriza s’ka të bëjë aspak me platformën shqiptare, por ka për qëllim të thyej platformën dekriminalizuese dhe properëndimore të LSDM, dhe nëse jo , që së paku në emër të ruajtjes së Maqedonisë, të e detyrojë atë për kompromis.

Modeli kosovar, i koalicionit të madh, me përfshirjen edhe të BDI, mund të ndodhë të jetë kompromisi i cili e ruan Maqedoninë dhe ofron atë me perëndimin, duke pezulluar përkohësisht procesin e dekriminalizimit.

Krejt kjo duket edhe më e mundshme kur kihen parasysh arsyet e vërteta të krizës në Maqedoni të cilat kanë të bëjnë me rrugën e gazit dhe të naftës nëpër Ballkan, dhe shtrirjen e NATO-s në regjion!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme