Ish-deputeti i PDK-së, Shukri Buja, i është bashkuar Nismës për Kosovën. Prezantimi i Bujës si anëtar i kësaj partie u bë në një konferencë për media, raporton Ekonomia Online.
Buja nuk ka dhënë detaje për arsyet e braktisjes së PDK-së. Ai tha se është përcaktua që t’i bashkohet Nismës pas një periudhe të gjatë në një subjekt tjetër politik.
“Jam përcaktuar pas një periudhe të gjatë në një subjekt tjetër. Këta i njoh me herët nga subjekti ku kam isha, ndoshta jam vonuar”, tha ai.
Ndërsa kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha se pas ardhjes së Bujës, Nisma do të jetë edhe më e fuqishme.
“Ne kemi qenë bashkë në aktivitetin për çlirimin e Kosovës në kohët të vështira. Jemi prapë bashkë, është nder që Buja është pjesë e Nismës. Edhe unë personalisht edhe Nisma jemi të nderuar që do vazhdojmë bashkë që të bëhemi edhe më të fort për objektivat e vendit tonë”, tha Limaj.
Buja ka dhënë dorëheqje ditë më parë nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, si dhe nga kryesia e kësaj partie. Buja ka qenë kryetar i Komunës së Lipjanit dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.