Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, mendon se fjalimi i përfaqësuesit të përhershëm të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, gjatë tryezës ku u fol për konfliktin Kiev-Moskë, ishte më i miri.
Kjo sipas diplomatit, si në terma argumentimi, ashtu edhe në terma objektiviteti.
“Ky është një opinion i imi, po është edhe një opinion i shumë raporteve që kam marrë nga Ukraina”, nënvizoi Shkurov në një intervistë për Albanian Post.
Një shprehje e tillë konsiderate, vjen fill pas zyrtarizimit se Shqipëria do të jetë bashkëpenëmbajtëse e çështjes së Ukrainës, së bashku me SHBA-të, në Këshillin e Sigurimit.
“E vlerësojmë rolin e Tiranës në KS, si shumë të lartë”, vijoi më tej ambasadori.
Po ashtu, ai u ndal edhe tek fakti se përtej idesë se Shqipëria është një vend i vogël, pesha e fjalës së diplomatëve shqiptarë, është e po të njejtës rëndësi me atë të vendeve të mëdha dhe superfuqive, që janë pjesë e tryezës së Këshillit të Sigurmit.
Në përmbyllje, ai shtoi se ajo çfarë ka vërtetë rëndësi, është njëhsimi i zërit të gjithë vendeve kundër agresionit rus.
Ndërsa, nuk ngurroi të falënderonte diplomacinë shqiptare, për mbështetjen e vazhdueshme. Shumë lartë, u vlerësua edhe Presidenca e OSBE-së e mbajtur nga Tirana zyrtare, gjatë mandatit 2020.