Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka bërë thirrje për një hetim të plotë, të pavarur dhe transparent lidhur me konsumimin ndër vite të produkteve që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur, duke kërkuar që siguria ushqimore të trajtohet si prioritet kombëtar.
Në një reagim publik, shoqata vlerëson se konsumimi i pakontrolluar i këtyre produkteve gjatë rreth 15 viteve kërkon zbardhje të plotë nga institucionet përgjegjëse.
“Rreth 15 vite konsum i pakontrolluar, me dhjetëra miliona kilogramë e ndoshta edhe qindra miliona kilogramë produkte me vaj palme dhe qumësht pluhur në një vend të vogël si Kosova, kërkojnë një hetim serioz, të pavarur dhe transparent. Hetimi duhet të bëhet i plot, transparent, gjithëpërfshirës dhe menjëherë”, thuhet në reagim.
Shoqata thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë kanë konsumuar gjatë viteve, duke veçuar shqetësimin për shëndetin e fëmijëve dhe konsumatorëve.
“Për 15 vite, konsumatorët e Kosovës kanë pasur të drejtë të dinë se çfarë kanë konsumuar. Fëmijët dhe konsumatorët në përgjithësi nuk mund të trajtohen thjesht si numra. Rritja e problemeve shëndetësore tek të rinjtë, si dhe shfaqja në mosha më të reja e sëmundjeve që dikur konsideroheshin kryesisht të lidhura me moshën, duhet të na shqetësojë dhe duhet të na lëvizë”, thuhet më tej.
Sipas shoqatës, të dhënat për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin duhet të analizohen seriozisht.
“Të dhënat zyrtare për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin kërkojnë vëmendje dhe analizë serioze. Ato nuk po zvogëlohen, por po rriten ditë pas dite dhe vit pas viti. Kosova nuk mund të jetë vetëm vend i spitaleve dhe barnatoreve. Pse kishim vetëm pak barnatore që mjaftonin, ndërkohë që numri i popullsisë ishte pothuajse i njëjtë? A nuk është kjo një arsye e mjaftueshme për të pyetur nëse diçka ka shkuar keq me ushqimin që konsumojmë?”, thuhet në reagim.
Shoqata thekson se përgjegjësia për garantimin e sigurisë ushqimore u takon institucioneve shtetërore.
“Përgjegjësia për sigurinë ushqimore është përgjegjësi e institucioneve dhe e shtetit. Papërgjegjësia e mundshme, nëse konstatohet, dhe efektet e saj të mundshme nuk mund të anashkalohen. Ato duhet të hetohen dhe të sqarohen”, thuhet në reagim.
Në deklaratë thuhet se çdo dyshim mbi cilësinë dhe përbërjen e produkteve të qumështit duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Produktet e qumështit janë pjesë e përditshme dhe e pandashme e tryezave tona. Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim serioz lidhur me cilësinë, përbërjen dhe sigurinë e tyre duhet të trajtohet me seriozitet maksimal. Ka shqetësime dhe të dhëna shkencore që kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm të efekteve të vajit të palmës, veçanërisht në kontekstin e sëmundjeve kardiovaskulare”, thuhet në reagim.
Shoqata kërkon gjithashtu që të zbatohen dispozitat ligjore ekzistuese ose të plotësohen boshllëqet në legjislacion, nëse ato ekzistojnë.
“Nëse ekziston bazë ligjore për kufizimin apo ndalimin e përdorimit të produkteve të caktuara, ajo duhet të zbatohet. Nëse ka boshllëqe ligjore, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet përgjegjëse duhet t’i adresojnë ato me urgjencë. Të gjitha çështjet e tjera mund të presin, por siguria e ushqimit që konsumojmë nuk duhet të presë”, thuhet në reagim.
Shoqata nënvizon se nuk po kërkon alarmim, por transparencë të plotë nga institucionet.
“Nuk po kërkohet alarmim. Po kërkohet transparencë. A duhet të kemi frikë nga transparenca? Assesi jo. Përkundrazi. Ikja nga faktet nuk na ndihmon, ashtu siç nuk na ndihmon as ikja nga ballafaqimi me një hetim të plotë. Aq më tepër kur të gjithë jemi konsumatorë dhe të gjithë kemi qenë të ekspozuar ndaj produkteve të tilla”, thuhet në reagim.
Shoqata ngre shqetësime edhe për kontrollin e ushqimit që u shërbehet fëmijëve pranë shkollave.
“Çfarë mund të thuhet për qindra e mijëra lokale të vogla pranë shkollave që shërbejnë ushqim për fëmijët? A kontrollohen sa duhet? A janë produktet që u shërbehen fëmijëve të sigurta? A kemi garanci të mjaftueshme se fëmijët tanë janë të mbrojtur? Këto nuk janë pyetje politike. Janë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Në fund, Shoqata e Qumështoreve kërkon përgjegjësi institucionale dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve.
“Siguria ushqimore duhet të bëhet prioritet kombëtar. Nuk na duhet asgjë nëse nuk jemi të shëndetshëm. Dyshimet e konsumatorëve për produktet e qumështit kanë qenë të arsyeshme dhe meritojnë përgjigje. Dështimi i organeve përgjegjëse të shtetit, nëse konstatohet, nuk duhet të tolerohet dhe as të justifikohet. Neglizhenca në mbrojtjen e konsumatorëve duhet të hetohet dhe, nëse ka shkelje, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Konsumatori ka të drejtë të dijë të vërtetën. Qytetari ka të drejtë të jetë i sigurt. Dhe shteti ka detyrim ta garantojë edhe njërën edhe tjetrën”, thuhet tutje.