Shoqata e Qumështoreve kërkon pezullimin e licencave për operatorët që paralajmërojnë ndërprerjen e grumbullimit të qumështit

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet kompetente pezullimin e licencave të operatorëve që paralajmërojnë ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga fermerët, deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të përgjegjësive.

Në një reagim publik, Shoqata e konsideron të papranueshëm përdorimin e fermerëve dhe prodhimit të tyre si mjet presioni ndaj institucioneve të Kosovës.

Sipas Shoqatës, së fundmi Gani Durmishaj ka nënshkruar një dokument përmes të cilit është paralajmëruar ndërprerja e grumbullimit të qumështit nga disa operatorë që, sipas saj, përdorin vaj palme dhe qumësht pluhur.

Shoqata ka deklaruar se nuk qëndron prapa këtij vendimi dhe e kundërshton fuqishëm një qasje të tillë.

“Nuk mund të përdoren fermerët dhe qumështi i tyre si mjet presioni ndaj shtetit”, thuhet në reagim.

Shoqata kërkon që institucionet kompetente të verifikojnë ligjshmërinë e veprimeve të operatorëve dhe, në rast se konstatohet se ndërprerja e grumbullimit të qumështit rrezikon ekzistencën e fermave, të ndërmarrin masa në përputhje me ligjin.

“Nuk mund të shantazhohen institucionet me kërcënime për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit”, thekson Shoqata, duke shtuar se fermerët nuk duhet të paguajnë çmimin e konflikteve ndërmjet operatorëve dhe institucioneve.

Sipas Shoqatës së Qumështoreve, çdo vendim për ndërprerjen e grumbullimit duhet të bazohet në ligj, kontrata dhe standarde profesionale, e jo në presion apo përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen institucionale.

Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që të mos marrin vendime të nxituara, pasi pasojat mund të jenë të rënda për fermerët dhe sektorin e qumështit në Kosovë.

Në reagim, ajo ka kërkuar që institucionet të mbrojnë shëndetin publik, konsumatorët, fermerët, prodhimin vendor dhe interesin ekonomik.

“Kosova është shtet i së drejtës. Askush nuk është mbi ligjin. Aktgjykimet e gjykatave duhet të respektohen, vendimet e institucioneve duhet të zbatohen dhe ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë”, thuhet në reagim.

Shoqata paralajmëron se ndërprerja e grumbullimit të qumështit mund të ketë pasoja serioze për fermat dhe kërkon reagim të shpejtë institucional.

“Fermerët nuk mund të bëhen viktima të betejave të askujt me shtetin”, thuhet në fund të reagimit, ndërsa Shoqata thekson se mbrojtja e shëndetit publik, fermerëve dhe prodhimit vendor duhet të jetë prioritet.

Njoftim i plotë:

FTESË PËR PEZULLIM TË MENJËHERSHËM TË LICENCAVE TË OPERATORËVE QË PARALAJMEROJNE NDËRPRERJEN GRUMBULLIMIT TE QUMËSHTIT

Aktgjykimet duhet të respektohen, ligji duhet të zbatohet dhe fermerët duhet të mbrohen!

NDËRPRERJA E GRUMBULLIMIT TË QUMËSHTIT — PRESION NDAJ SHTETIT?

Së fundmi, Gani Durmishaj ka nënshkruar një dokument përmes të cilit është paralajmëruar ndërprerja e grumbullimit të qumështit nga disa operatorë që përdorin vaj palm dhe qumẽsht pluhur.

Ky veprim është i papranueshëm dhe duhet të hetohet nga institucionet kompetente.

Nuk mund të përdoren fermerët dhe qumështi i tyre si mjet presioni ndaj shtetit.

Nuk mund të shantazhohen institucionet me kërcënime për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit.

Dhe, mbi të gjitha, fermerët nuk duhet të paguajnë çmimin e konflikteve të askujt me institucionet e Kosovës!

Shoqata ka bërë të qartë se nuk qëndron prapa këtij vendimi dhe e kundërshton fuqimisht një formë të tillë të presionit.

KËRKESË PËR PEZULLIMIN E LICENCAVE, OPERATORËVE QË NDALOJNË GRUMBULLIMIN E QUMËSHTIT

Nuk mund të shantazhohen institucionet me kërcënime për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, me arsyetimin se nuk mund të prodhojnë produkte të falsifikuara.

Nuk do të lejojmë që fermerët të shndërrohen në viktima të konflikteve, presioneve apo interesave të kujtdo qoftë, vetëm pse është ndërprerë përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur.

Duke pasur parasysh rrezikun e ndërprerjes së grumbullimit të qumështit, pasojat e mundshme për fermerët dhe nevojën për verifikim të plotë të ligjshmërisë së këtyre veprimeve, kërkojmë nga institucionet kompetente që, deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të përgjegjësive, të shqyrtojnë pezullimin e licencave të operatorëve përgjegjës, në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse.

MOS I RREZIKONI FERMERËT!

U bëjmë thirrje të gjithë përpunuesve të qumështit që të mos marrin vendime të nxituara, të cilat mund të shkaktojnë pasoja të rënda për fermerët dhe sektorin e qumështit në Kosovë.

Çdo vendim për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit duhet të jetë i bazuar në ligj, në kontrata, në standarde profesionale dhe në përgjegjësi ndaj fermerëve — jo në presion, hakmarrje apo përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve.

Nëse veprimet e koordinuara të operatorëve rezultojnë në ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe rrezikojnë ekzistencën e fermave, atëherë institucionet duhet të reagojnë pa vonesë.

Fermerët nuk mund të bëhen viktima të betejave të askujt me shtetin!

Qëllimi i çdo presioni të tillë nuk duhet të jetë detyrimi i institucioneve që të heqin dorë nga:

● mbrojtja e shëndetit publik;

● mbrojtja e konsumatorit;

● mbrojtja e fermerëve;

● mbrojtja e prodhimit vendor;

● mbrojtja e interesit ekonomik publik dhe privat.

SHTETI DUHET TË FUNKSIONOJË!

Kosova është shtet i së drejtës.

Askush nuk është mbi ligjin.

As kryetar i vetëshpallur, as shoqatë, as përpunues, as kompani dhe asnjë individ tjetër.

Aktgjykimet e gjykatave duhet të respektohen.

Vendimet e institucioneve duhet të respektohen.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

SHFAROSJA E FERMAVE NUK DUHET TË LEJOHET!

Nuk do të lejojmë që fermerët të shndërrohen në viktima të konflikteve, presioneve apo interesave të kujtdo qoftë.

Mbrojtja e shëndetit publik është obligim ligjor.

Mbrojtja e fermerëve është interes kombëtar.

Mbrojtja e prodhimit vendor është interes i Kosovës.

Dhe në mbrojtjen e këtyre interesave:

NUK KA KOMPROMIS.

Të ngjashme