Shoqata Sindikale “Postieri” i ka reaguar kryesuesit të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve në Postën e Kosovës, Leonard Shabanit dhe u.d kryeshefit ekzekutiv Xhevdet Smakiqi, për siç thotë ai, vendimin e fundit mbi rritjen/zbritjen e pagave.
Kjo shoqatë ka paralajmëruar veprime sindikale, pa përjashtuar protestat, për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë për vendimin dhe konkurset për pranim të punëtorëve të rinj.
Këtë vendim e kanë quajtur “joligjor dhe të turpshëm. Përmes një komunikatë Shoqata thotë se përmes vendimit zyrtarët e lartë të ndërmarrjes u rriten pagat kurse zvogëlohen ato të punëtorëve tjerë, “gjithherë pa kurrfarë plani, analize dhe sipas dëshire”.
Shoqata shpreh edhe shqetësimin se nuk i kanë pranuar edhe pagat për muajin janar të këtij viti, teksa përmend konkurset që sipas shoqatës po bëhen për avancime.
“Në proces janë konkurset për pranim të punëtorëve të rinj dhe për zyrtarët e lartë të ndërmarrjes, e mos të përmendim avancimet e shumta që këta të dy muajt e fundit janë duke ndodhur, ku krejt këto, kanë efekt negativ te punëtorët dhe ndërmarrja”, thuhet në reagim.