Me aq sa mund të kuptohet nga vëzhgimi, shumica e qytetarëve shqiptarë në Kosovë duken sikur janë të kënaqur me jetën që bëjnë.
Arsyet janë këto: e para, ata vërtet jetojnë pakrahasimisht më mirë se sa në kohën e sundimit jugosllav dhe veçmas viteve të okupimit serb.
E dyta, ata nuk e kanë të ditur se mund të jetojnë edhe më mirë, nëse shoqëria do të emacipohej e transformohej. Prandaj brenda asaj mundësie që kanë, si produkt të lirisë dhe të injorancës, ata duken të kënaqur.
Ku vërehet kjo?
1. Nuk ka ndonjë brengosje për ikjen masive të njerëzve nga Kosova. Nuk konsiderohet humbje largimi i njerëzve, bile në shumë raste konsiderohet si shans, fat i mirë. Thjesht, edhe shkatërrimi demografik paketohet si kënaqësi, sado që nuk shprehet.
2. Nuk ka brengosje serioze për shëndetësinë e dobët. Janë të shumtë ata që shkojnë e paguajnë në sektorin privat dhe e mbyllin muhabetin me një mburrje primitive se demek kanë kryer punë.
3. Nuk ka brengosje për arsimin e dobët. Nuk është shënuar ndonjë veprim qytetar me kërkesa për përmirësimin e politikave qeveritare në arsim. E sulmojnë SBASHK-un, i cili nuk ka gjë në dorë e jo qeverinë, e cila i harton dhe zbaton politikat në arsim. Madje as tash kur u krijuar kaos për libra shkollore, nuk ka ndonjë pakënaqësi të artikuluar. Presin në rend, por duke e fshehur pakënaqësinë eventuale.
4. Nuk ka brengosje për faktin që mijëra hektarë tokë mbesin djerrë. Ndërsa produket ushqimore importohen dhe paratë tona shkojnë te prodhuesit e huaj.
5. Nuk ka brengosje për faktin që Kosova është futur nën masa-sanksione të Bashkimit Evropian, ku do të humben shumë projekte dhe imazhi i vendit po nxihet.
6. Nuk ka brengosje për ftohejn e raporteve me Shqipërinë. Bile aty-këtu ka kënaqësi, krekosje.
7. Nuk ka brengosje për faktin që Serbia ka në Kosovë struktura paralele, të cilta financohen nga Serbia dhe veprojnë kundër Kosovës. Qeveria ua paguan shpenzimet e energjisë elektrike edhe atyre që punojnë kundër saj, ndërsa qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ndihen të kënaqur me veten e me qeverinë.
8. Nuk shihet brengosje te besimtarët muslimanë që të premteve falen me fytyrë në pluhur, në cement, në ndonjë karton, (së paku në Prishtinë.) Por nuk ka brengosje as pse nuk u lejohet edukim fetar për fëmijët në shkolla publike, siç praktikohet për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në Bashkimin Evropian. Çuditërisht duken të kënaqur me statusin inferior. Muslimazohist?
Nga ana tjetër, kënaqësia manifestohet brutalisht në dasma të kushtueshme, në dyndjen për pushime në bregdet gjatë tri stinëve të vitit, në restorantet plot, në veturat e shtrenjta, në ndërtimet marramendëse të banesave dhe rritjen e çmimeve të tyre, në jetën duke marër kredi e duke jetuar si parazitë nga ndihmat e familjarëve nga diaspora.
Si përfundim: po dukemi si shoqëri dhe shtet pa projekt për emancipim, transformim e zhvillim. Jetë sot për nësër në stilin “ku rafsha mos u vrafsha.” Të kënaqur që nuk po na persekutojnë të huajt, ama duke e dëmtuar vetveten. Të kënaqur që nuk po na e imponojnë emancipimin e transformimin, ama duke u bërë shoqëri gjithnjë e më primitive.