Organizatat e shoqërisë civile Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti Demokratik i Kosovës shprehin shqetësimin për veprimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës për mbyllje hermetike të veprimtarisë dhe për mungesën e theksuar të transparencës së këtij institucioni.
Sipas tyre, neni 14 i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës shprehimisht parasheh se takimet e Këshillit janë të hapura për publikun dhe të njëjtat mund të mbyllen vetëm për shkaqe të caktuara, të parapara me këtë ligj. Mirëpo, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, ky institucion nuk lejon qasjen e monitoruesve tanë për të vëzhguar në mënyrë të drejtpërdrejtë takimet e këtij institucioni.
“Sipas zyrtarëve përgjegjës të këtij institucioni, monitorimi i takimeve të këshillit mund të bëhet vetëm në formë elektronike, përmes Platformës Zoom. Mirëpo, dihet se monitorimi përmes kësaj forme përcjellet me një sër vështirësish, duke filluar nga mungesa e përkthimit, zërimi i ulët, vështirësi në dëgjimin e të gjithë anëtarëve të këshillit, interferime etj., duke krijuar kështu pamundësi të monitorimit të mirëfilltë të mbledhjeve të mbajtura”.
Në reagim thuhet se monitorimi i mbledhjeve në formë elektronike dhe pamundësia e pjesëmarrjes në formë fizike në mbledhjet Këshillit është bërë gjatë situatës së krijuar për shkak të përhajpes së Pandemisë Covid-19, mirëpo dihet se situata ka ndryshuar, dhe nuk ka më arsye që të vazhdohet me këtë praktikë.
“Një situatë e tillë, ku Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk lejon qasjen për publikun dhe organizatat e shoqërisë civile në mbledhjet e këshillit, nuk është e lejuar në një demokraci të shëndoshë. Prandaj, ne kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të respektojë dispozitat ligjore duke lejuar publikun dhe monitoruesit që të vëzhgojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë aktivitetin e këtij institucioni. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë veprimtarinë e Këshillit Prokurorial dhe të ndërmarrim veprime të nevojshme për të siguruar që ky institucion të jetë i hapur dhe transparent në veprimtarinë e tij”.