Disa herë brenda objektit të Qeverisë së Kosovës janë shëtitur materialet përgatitore për draftimin e Kushtetutës, derisa në vitin 2014 është vendosur që ato t’i dorëzohen Arkivit të Kosovës. Megjithëse ka ekzistuar një projekt për përmbledhjen dhe botimin e tyre, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.
Mosbotimi i dokumenteve përgatitore për draftimin e Kushtetutës në ndonjë burim zyrtar dhe deponimi i tyre në Zyrën e kryeministrit kanë ngritur dyshime për vërtetësinë e tyre. Një ditë pas letrës së kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë reaguar edhe organizata të shoqërisë civile, shkruan KOHA.
Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha, ka thënë se Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe administrata e Kuvendit të Kosovës kanë ushtruar aktivitet të kundërligjshëm kur vendosën t’i nxirrnin këto dokumente në një mënyrë jopublike, të papritur dhe pa e validuar fillimisht peshën e këtyre materialeve nga ekspertë të fushës apo nga ndonjë organ i kualifikuar, siç është Kuvendi i Kosovës.
“Meqenëse ‘punimet përgatitore’, të ashtuquajturat ‘travaux préparatoires’, përbëjnë një dokument publik me peshë të veçantë, konfirmimi i autenticitetit të tyre është kusht për validitetin dhe rrjedhimisht mundësinë ose jo të shfrytëzimit të tyre nga organet shtetërore për çfarëdo qëllimi. Duke u nisur nga kjo e fundit, dëshirojmë të rikujtojmë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në praktikën e saj gjyqësore e ka konfirmuar mosekzistencën e tyre zyrtarisht në rastin K098/11 (rasti i imunitetit të zyrtarëve të lartë) në vitin 2011, standard që ishte rikonfirmuar disa herë radhazi si pasojë e konfirmimit të Kuvendit të Kosovës që këto dokumente nuk ekzistojnë në një formë zyrtare”, ka thënë Loxha.
Dokumentet përgatitore janë dorëzuar në Arkivin e Kosovës vetëm pasi Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë aktgjykimet për kryetarin e Kuvendit dhe mandatarin e Qeverisë në vitin 2014, pa e pasur mundësinë t’i shfrytëzojë dokumentet përgatitore.