Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është hapur ekspozita me 103 fotografi të përzgjedhura, nga 400 sa kanë konkurruar në fushatën #ecokosovo – Kosovë e Shëndetshme, e cila ka për qëllim sensibilizimin e institucioneve përgjegjëse dhe qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
Me këtë rast u shpallën dhe tre fituesit e fotove më të mira: Agon Nimani, Arian Mavriqi, Arijana Deshishku.
Fushata #ecokosovo është përkrahur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (UNV), në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT). Fushata është përkrahur dhe nga Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se MMPH-ja në punën e saj ka caktuar tri prioritete: Ujin, Ajrin dhe Mbeturinat e Ngurta, të cilat kanë ndikim thelbësor në mjedis. “Ekspozita e sotshme do të ndikojë fuqishëm për të tërhequr të gjithë aktorët institucionalë dhe qytetarët për të ndikuar më shumë në ruajtjen e mjedisit”.
“Me këtë angazhim ne do të arrijmë të pasurojmë pikturën e madhe të Kosovës të bukur me sipërfaqe të reja të gjelbra, male të bukura dhe biodiversitet të rrallë”, u shpreh Shala.
Kreu i MMPH-së, më tej, theksoi se ekspozita të tilla duhet të bëhen më shpesh, sikurse dhe iniciativa të tjera që ndihmojnë për një mjedis të pastër dhe të shëndoshë.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se MSh-ja, në strategjinë e saj, ka gjithmonë promovimin e jetës së shëndetshme dhe e këtë përmes sponzorimit dhe implementimit të ligjeve nga fusha e shëndetësisë.
“MSh-ja përmes institucioneve përkatëse në vartësi të saj është e gatshme që përpos analizave dhe rekomandimeve të jetë pjesë e çdo iniciative, organizimi apo mekanizmi nacional dhe ndërkombëtar, i cili për objektiv final ka avancimin e shëndetit publik dhe ruajtjen e ambientit”, theksoi Rrahmani.
“Edhe Kosova duhet t’iu bashkohet vendeve të tjera në ruajtjen e cilësisë së ajrit, duke ratifikuar konventat, protokollet apo marrëveshjet ndërkombëtare lidhur me ndotjen e ajrit, monitorimin e koncentrimeve të metaleve të rënda në ajër, të cilat për shumicën e vendeve evropiane në zonat urbane janë problem në vete”, shtoi ministri i Shëndetësisë.
Në hapje të ngjarjes, Andrew Russell, përfaqësues i UNDP-së, theksoi se Kombet e Bashkuara në Kosovë kujdesen për mjedisin dhe shëndetin. “Sëmundjet e organeve të frymëmarrjes dhe sëmundjet tjera të shkaktuara nga faktorë të mjedisit po ua shkurtojnë jetëgjatësinë qytetarëve të Kosovës. E megjithatë, popullata i kushton shumë pak vëmendje këtij problemi, siç mund të shihet edhe në raportin tonë të fundit të Pulsit Publik. Shpresojmë që rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me ndikimet vdekjeprurëse mjedisore në shëndet, përmes fotografive dhe mjeteve të tjera, do të rezultojë në angazhim më të madh nga ana e qytetarëve për këtë çështje absolutisht kritike”, tha Russell.
Fotografia e Arijana Deshishkut ku shihet duke ushtruar joga me një maskë të gazit, është njëra nga tri fotot fituese. “Fotografia tregon një mikro protestë timen. Unë besoj se mjedisi duhet të jetë i pastër në mënyrë që të përjetohet plotësisht të ushtruarit e jogës të shëndetshme”, shpjegon foton e saj Arijana.
Prej nëntorit deri në dhjetor 2016, #ecokosovo-së i kanë arritur mbi 400 foto aplikime. Fotografitë janë dorëzuar online me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mjedisin dhe shëndetin në Kosovë. Fushata ishte e suksesshme dhe u paraqit si sfidë e vështirë për pesë anëtarët e jurisë të cilët kishin për detyrë të zgjedhin vetëm tre fitues nga të gjitha aplikimet. Me një temë të gjerë mjedisi dhe shëndeti në Kosovë, pjesëmarrësit ishin të lirë të shkrepin foto të Kosovës dhe mjedisit të saj ashtu si ata e shohin dhe e përjetojnë.
Agon Nimani, një tjetër fitues, bëri foto nga një këndvështrim më ndryshe. Me një dron, ai shkrep një foto të një deponie makinash nga një pamje ajrore. Fotografia e tij përshkruan një problem tjetër mjedisor: mbeturinat. Duke iu referuar fotos së tij, ai thot se “Sinjali i ndryshimeve klimatike është i padurueshëm dhe alarmant, por në qoftë se zvoglojmë sasinë e mbeturinave, ne ulim nivelin e ngrohjes globale.” Duke iu referuar ajrit në Prishtinë si “helm”, Agoni thot se ai do të lë “fotot e tij të flasin vet.” Nga dhjetëra metra lartësi mbi deponi, fotot po që flasin.
Arian Mavriqi, fituesi i tretë i konkursit #ecokosovo, zgjodhi të përqendrohet në bukurinë natyrore të Kosovës. Në një kodër me pjerrësi të butë, fotoja e Arianit është pikërisht natyra. Gjethet ngjyrë kuqe të rëna në tokë janë në kontrast me trungjet e pemëve të bardha, që ngrihen aty. Sipas Arianit “Kujdesi për mjedisin është kujdes për shëndetin tonë. Sa më shumë të kemi kujdes, më të shëndetshëm do të jemi.”
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 shkurt, përmban 103 fotografi të zgjedhura nga më shumë se katërqind që janë paraqitur në fushatën avokuese online në temën mjedisi dhe shëndeti.
Fushata avokuese #ecokosovo është projektuar dhe implementuar nga Trembelat. Pas Bibliotekës Kombëtare, ekspozita do të shfaqet në bulevardin Nënë Tereza prej 3 deri më 6 mars.
Fotot fituese: