Kandidaturat për Çmimet e Akademisë u njoftuan të martën në mëngjes nga aktorët Andy Serkis dhe Tiffany Haddish. Filmi “The Shape of Water” kryeson me 13 propozime për Çmimin Oscar. Filmi fantastiko-shkencor me buxhet të vogël shtjellon historinë e një pastruesi shurdh që bie në dashuri me një krijesë detare të burgosur.
Në vend të dytë pason filmi “Dunkirk” me tetë kandidatura.Filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” zë vendin e tretë me 7 propozime. Në kategorinë e filmit më të mirë konkurojnë dy filma të zhanrit të dramës me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore (Dunkirk dhe Darkest Hour). Mes të propozuarve në kategori janë edhe “Call Me by Your Name”, “Get Out”, “Lady Bird”, “Phanton Thread” si dhe filmi “The Post”.
Akademia lejon që në kategorinë e filmit më të mire të ketë deri në dhjetë konkurentë. Kjo përcaktohet nga mbështetja që shprehin 8400 anëtarë të organizatës në fjalë. (Një vit më pare pati nëntë filma kandidatë).
Në kategorinë e aktorit më të mirë në rolet kryesore kandidojnë Denzel Washington me filmin ” Roman J. Israel, Esq.”, Timothée Chalam për interpretimin në filmin “Call Me by Your Name”. I famshmi Daniel Day-Lewis vjen me filmin ‘Phanton Thread”. Në këtë kategori janë edhe aktorët Daniel Kaluuya me filmin “Get Out” dhe Gary Oldman me filmin “Darkest Hour”.
Pesë aktore kandidojnë në kategorinë e aktores më të mire në rolet kryesore. Sally Hawkins me filmin “The Shape of Water, Frances McDormand për interpretim në filmin “Three Billboards outside Ebbing, Missouri”. Filmi “I, Tonya” i ka siguruar kandidaturën edhe aktores Margot Robbie, ndërsa Saoirse Ronan vjen me filmin “Lady Bird”. Aktorja veterane Meryl Streep është përzgjedhur për interpretim në filmin “The Post”.
Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Oscar, që kanë 90 vjet që organizohet, do të zhvillohet me 4 mars duke rikthyer komedianin Jimmy Kimmel në rolin e prezantuesit. (VOA)