Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 6 tetor, raporton Ekonomia Online.
Sipas rezultateve Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 32 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 29 deputetë; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 25 deputetë; koalicioni AAK-PSD 14 deputetë dhe Lista Serbe 10 deputetë.
Nisma Socialdemokrate ka arritur që të marrë 42 mijë e 72 vota, ose 4.98% që i ka pamundësuar që të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pasi që ka lexuar me rend rezultatet për partitë dhe kandidatët ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje, po edhe institucionet ndërkombëtare për monitorimin e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto që janë duke zhvilluar takime për formim të qeverisë së re.