Ka kaluar më shumë se 6 vjet në paraburgim dhe në vitin 2017 gjykata atë e ka shpallur të pafajshëm. Për gjithë kohën sa ka qëndruar në burg personi në fjalë ka përfituar rreth 30 mijë euro. Vetëm gjatë vitit që lamë pas më shumë se 150 persona kanë qëndruar në burg dhe në fund janë shpallur nga gjykata si të pafajshëm.
Mbi 150 persona janë mbyllur prapa grilave gjatë vitit 2017 pa asnjë faj, krejt kjo si pasojë e ngritjes së aktakuzave pa fakte dhe vendimeve të ngutshme të gjykatave për shqiptim të masës së paraburgimit ndaj tyre.
Derisa në vitin 2016 në burgjet e Kosovës 148 persona janë mbajtur në paraburgim dhe më pas janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat, në vitin 2017 ky numër ka shënuar rritje deri në 153 persona.
Përveç mohimit të lirisë që u bëhet këtyre personave gjatë qëndrimit të tyre pa faj prapa grilave, edhe shuma që këta persona marrin si kompensim është minimale.
Astrit Hoti, drejtori i Departamentit Ligjor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe njëkohësisht sekretar i Komisionit për Kompensim të Dëmit, ka treguar për “Zërin” se numri i personave që janë mbajtur në burgje dhe pastaj janë liruar si të pafajshëm është rritur në vitin 2017, i krahasuar me vitin 2016.