Shpend Ahmeti largohet zyrtarisht nga Vetëvendosje

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 21:00 | Nga

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, papritmas, ka njoftuar se jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje.

Nëpërmes një letre dërguar medieve, të martën në orët e mbrëmjes, Ahmeti ka treguar arsyet pse nuk është më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

LETRA E PLOTË:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar kolegë e miq,

Kosova është edhe më tutje në gjendje të rendë politike e sociale. Vazhdojmë të udhëhiqemi nga një klasë politike e paaftë të ballafaqohet me sfidat e shtetit tonë. Pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë, nuk kemi se si të mos reflektojmë mbi atë se çfarë do të mund të ishte ky shtet po të kishim arritur të bëjmë ndërrimin e gjeneratave politike, jo për nga mosha por nga mendësia.

Në shtatë vitet e fundit jam angazhuar me plotë vullnet në Lëvizjen Vetëvendosje. Së bashku kemi arritur suksese të jashtëzakonshme dhe kemi luftuar procese të dëmshme bashkë me qytetarët e Kosovës. Duke qëndruar të bashkuar arritëm t’i bindim 200 mijë qytetarë se ndryshimi është i nevojshëm dhe i mundshëm. Solidariteti, programi dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për kauzën dhe për njëri tjetrin ishin shtyllat më të fuqishme të aktivizmit politik të LVV.

Për këto arsye u anëtarësova në vitin 2011. Mësova shumë nga secili prej aktivistëve, edhe dije, edhe guxim, edhe vetëmohim edhe krejt vlerat që mendoja se janë të domosdoshme për të vepruar si forcë e ndryshimit. Edhe pse nuk pajtoheshim për krejt gjërat, besonim se vetëm bashkë mund të sjellim ndryshimin e gjeneratave politike në Kosovë.

Sikurse edhe ju, qytetarë të nderuar, muajt e fundit kam vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për Lëvizjen Vetëvendosje të cilin as armiqtë më të mëdhenj të LVV e të shtetit nuk do të mund as ta dizajnonin e as imagjinonin. Ende sot nuk po mund të besoj se ky debat ka ndodhur në mes të njerëzve që deri dje kanë qenë të gatshëm të vdesin për njëri tjetrin.

Kjo letër nuk është letër fajësimi, e as letër për te shpjeguar si ndodhi krejt kjo çka ndodhi. Të tjerët po flasin, madje shumë më shumë se që duhet. Nuk mund të flas keq për asnjërin nga të apostrofuarit në muajt e fundit. Së paku, nuk mund të ndërroj mendim aq shpejtë, për asnjërin individ nga asnjëra palë. Përndryshe do të isha naiv që kam kaluar shtatë vite krah për krah me secilin prej tyre.

Sikurse çdo njeri dhe çdo organizatë, kemi bërë gabime por jemi bërë edhe më të fortë nga gabimet. Thjesht arsyeja pse kemi hyrë dhe kemi ndenjur në Vetëvendosje ka qenë se Vetëvendosjen e kemi parë si mjetin me të fortë dhe më të mundshëm për ta larguar një klasë politike të korruptuar që ia ka humbur dinjitetin vendit e qytetarit. Ia ka vlejtur të durohet gjithçka për ta bërë këtë të mundshme.

Por, nuk kam hyrë në Vetëvendosje për të luftuar me njëri tjetrin brenda organizatës duke forcuar kështu klasen e tejkaluar politike.

Ka shumë gjëra në organizatë që nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq. Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua. Kjo nuk do të thotë se pajtohem me njërin krah ose tjetrin sa i përket të vërtetes për të kaluarën. Aspak. Nuk kam qenë pjesë e asnjërës nga temat për të cilat ka ndodhur mospajtimi fillestar. Prandaj nuk e ndjej betejën njëjtë si ata.

Jam munduar personalisht të luaj një rol ndërmjetësuesi për tejkalim të problemeve, por shpejtë e kam kuptuar që dallimet ishin tepër të thella. Kam shkuar në mbledhjet e fundit të Këshillit dhe kam marrë pjesë në procesin zgjedhor gjithmonë me shpresë se do të mund të tejkalohen dallimet. Por ja që kjo ishte e pamundur.

Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kane të drejtë në mendimin e tyre. Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre. Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera.

Secilit aktivist i përkulem për secilën punë të bërë për të mirën e vendit. Do t’i jap llogari secilit prej tyre individualisht për mandatin dhe punën time dhe dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ta. Asamblistëve të LVV nuk u kërkoj të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit tim. Për mua janë të njëjtit sido që të vendosin.

Qytetarët e Prishtinës i siguroj se e ardhmja ime politike është e lidhur më shumë se kurrë me Kryeqytetin. Jam i vetëdijshëm se ndoshta mund ta kemi më vështirë në Kuvendin Komunal por qëndrimet dhe bindjet janë më të rëndësishme se komoditeti. Unë mbetem i njëjti, besnik ndaj vetvetes dhe qytetarëve të Prishtinës. Me konceptin e transparencës dhe llogaridhënies i cili na mundësoi kthimin e normalitetit në qytet, do të vazhdoj të punoj në realizimin e reformave dhe zotimeve për një zhvillim të hovshëm dhe të barabartë të Prishtinës. E gjithë energjia ime do të fokusohet në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët e Prishtinës të cilët duhet ta ndjejnë vetën të barabartë në mes veti dhe me banorët e kryeqyteteve tjera sa i përket ofrimit të shërbimeve dhe infrastrukturës publike.

Nuk pendohem për edhe asnjë ditë në LVV dhe nuk do të fajësoj askënd për të kaluarën. E mbaj përgjegjësinë time që më takon për krejt situatën e krijuar. Të gjithë miqëve ju uroj sukses ne realizimin e qëllimeve në qoftë se janë në përputhje me idealin që e kemi paSur së bashku.

Prej sot, nuk jam më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme