Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas arrestimit të zyrtares komunale, e cila dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ahmeti ka thënë se para dy javësh, gjatë një kontrolli të brendshëm në Komunën e Prishtinës, kanë gjetur se një zyrtare e tatimit në pronë,ka lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhet e tatimit në pronë, dhe se pas kësaj ai ka udhëzuar drejtoreshën e financave që ta denoncojë në polici këtë zyrtare.
“Këto vërtetime kërkohen për të regjistruar makina, dhe natyrisht se lëshimi i rrejshëm i vërtetimeve të tilla është shkelje ligjore. Kam udhëzuar drejtoreshën e financave që zyrtaren ta denoncoi në polici dhe kemi filluar procedurat disiplinore. Si pasojë e denoncimit e njëjta zyrtare sot është shoqëruar në polici për vepër penale”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Ai ka thënë se nuk do të tolerojnë shkelje të tilla nga zyrtarët, pa marrë parasysh pozitat e pasojat.