“Shpenzimi i rezervave shtetërore, logjikë gllabëruese e parasë publike e instaluar nga Qeveria”

Prishtinë | 26 Maj 2019 | 08:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në muajt e parë të këtij viti, Qeveria ka filluar të ndajë para nga fondi i rezervave shtetërore, përfshirë 500 mijë euro për festimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, edhe pse këto rezerva në bazë të ligjit mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara, raporton Ekonomia Online.

Kurse gjatë vitit të kaluar, Qeveria aktuale për 16 vendime ka ndarë para nga rezervat për individë të caktuar, për festimin e festave të ndryshme, për lobimin e Kosovës, etj. Këto shpenzime po shihen si vendime politike dhe abuzim nga Qeveria për paranë publike.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, i tha Ekonomia Online se vetëm këtë vit janë shpenzuar rreth 50 për qind e komplet fondit të rezervave shtetërore.

“Çështja e shpenzimit të rezervave shtetërore për ne vjen shqetësim i madh, mënyrën se si ka vendosë kjo Qeveri, edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, pa e respektuar pothuaj asnjë kriter ligjor të nevojshëm, e çka është edhe më keq, për këtë vit, vetëm për muajin janar dhe shkurt diku më tepër se 50 për qind i komplet fondit të rezervave shtetërore i ka shpenzuar, e dihet për çka fondet rezervë mbesin”. 

“Për fatin e keq kjo Qeveri ka vendosë krejtësisht ndryshe, për interesa krejtësisht të ngushta politike, madje jo vetëm politike por edhe të afërsisë që mund të kenë me subjekte të caktuara duke shku edhe në raste më eklatante si ishte ai që të financoj edhe prodhimin e filmave ndërkohë që juritë profesionale të qendrës kinematografike e rrëzojnë, kjo tregon abuzimin e skajshëm ose logjikën gllabëruese të parasë publike që kjo Qeveri ka instaluar”.

Më 12 mars të këtij viti, LDK kishte propozuar një rezolutë pikërisht për ndalimin e ndarjes së parave pa kriter dhe një raporti të detajuar mbi shpenzimet e 11-vjetorit të Pavarësisë, mirëpo për votimin e saj nuk ishte arritur kuorumi i nevojshëm në Kuvend.

Sipas Selmanaj, si shumë çështje të tjera, edhe kjo rezolutë ka ngecur, e për këtë thotë se vjen nga keqmenaxhimi i kryeparlamentarit dhe koalicionit PAN, që sipas tij, e kanë çrregulluar funksionimin e Kuvendit.

“Ka tema dhe çështje, ligje ose rezoluta të vitit të kaluar, në korrik që s’kanë përfunduar ende. Kjo është rezultat i keqmenaxhimit të skajshëm që e bën ky kryetar i kuvendit dhe ky koalicion PAN. Këta e kanë çoroditë rregullsinë, funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Këtu gjithçka ka, veç rregull nuk ka, këtu s’ka më vlerë rregullorja e Kuvendit, s’ka vlerë asgjë”. 

Një situatë e tillë, ai thotë se nuk ka qenë në legjislaturat e kaluara, ku çështjet nuk kanë ngecur si tash.

“Në legjislaturat e kaluara ka qenë krejt qasje tjetër, çështjet kanë filluar, kanë përfunduar, janë votuar ose janë rrëzuar. Tash kemi gjithçka këtu veç rregull jo. Çështjet o ngelin me vite të tëra pa vendimmarrje ose rrezikohet që ato të harrohen krejt. Nëse kjo ndodh atëherë cila është ideja e mbajtjes së punimeve në Kuvendin e Kosovës, cila është ideja që ne të ngrisim çështje, sepse komisioni që udhëheq unë ka ngritë këtë çështje dhe ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme grupi jonë parlamentar. Atëherë këta nuk janë në gjendje për muaj të tërë ta vendosin në agjendë dhe ta përfundojmë atë atëherë kjo tregon se logjika e tyre është anarkike”.

Ndërsa, Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se shpenzimet e tilla e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, pasi asnjëra nga to nuk përbëjnë raste urgjente apo të paparashikuara.

“Meqë vendimet që janë marrë gjatë këtij viti vazhdojnë me qenë të njëjta, nuk dallon shumë nga viti i kaluar, pasi këto vendime vazhdojnë të merren në baza ad-hoc siç janë marrë edhe më herët dhe një alokim i tillë natyrisht që e dëmton buxhetin e shtetit”.

Ajo sugjeron që organizatat buxhetore të bëjnë planifikim më të duhur të buxhetit dhe që aktivitetet e përhershme të planifikohen më herët në baza vjetore.

“Ajo që sugjerojmë është që paraja publike të trajtohet me integritet dhe secili qytetar do ndjehej i barabartë dhe i pa diskriminuar me paranë publike pasi të gjithë jemi kontributdhënës të buxhetit të shtetit, po ashtu të zbatohen të gjitha vendimet e MF-së dhe rekomandimet e saj në raport me shpenzimin e parasë publike”. 

“Organizatat buxhetore të bëjnë një planifikim më të duhur të aktiviteteve dhe të buxhetit gjatë planifikimi vjetor. Nëse ato do bënin planifikim më të mirë mbase do të kishte mundësi që shumë nga këto vendime të mos merreshin fare pasi këto çështje të parashiheshin  më herët në planifikimet vjetore”.

Të ngjashme