Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të shpërndahet më 11 shkurt, paralajmëroi sot kryeparlamentari Talat Xhaferi në një takim me gazetarët. Ai tha se do të respektohen të gjitha afatet për procesin e zgjedhjeve të shpallura, përcjellë INA.
Zgjedhjet e parakohshme të 11 prillit dolën si kompromis nga takimi i liderëve të zhvilluar javë më parë në kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski. Megjithatë akoma po vazhdon debati se a do të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor lidhur me propozimin për lista të hapura dhe ndryshim të zonave zgjedhore. Një nga çështjet e hapura për institucionin legjislativ do të jetë edhe ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO, dhe se nuk dihet se a do të ndodhë kjo nga përbërja aktuale, pasi që gjithça do të varet nga ratifikimi i fundit që duhet ta bëjë Spanja, pas zgjedhjeve që do të zhvillojë në fund të vitit.