Shpërthejnë zjarret në lindje të Romës, evakuohen banorët

Prishtinë | 13 Gus 2021 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Banorët e komuniteteve të vogla rreth 40 kilometra në lindje të Romës u evakuuan të premten, kur një zjarr në natyrë shpërtheu në kohën kur temperatura në kryeqytetin italian arriti në 37 gradë.

Pjesë të mëdha të Italisë jugore janë përfshirë nga zjarret në javët e fundit. Rajonet më të prekura nga zjarret në pyje janë Kalabria, Sicilia dhe Sardenja.

Në Sicili, temperatura të mërkurën arriti në gati 49 gradë, e raportuar si rekord i temperaturës më të lartë që është regjistruar ndonjëherë në Evropë.

Vala e vapës është duke lëvizur drejt veriut të Italisë. Zjarrfikësit njoftuan se 25 familje u evakuuan gjatë natës, pasi zjarret u përhapën në Monte Catillo, afër Tivolit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Rreth 30 banorë të një shtëpie për fëmijë të varfër dhe jetimë gjithashtu u evakuuan për t’i ikur rrezikut nga zjarret.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, të enjten premtoi ndihmë financiare për komunitetet e goditura nga zjarret dhe një plan veprimi për rigjelbërimin e pyjeve.

Të ngjashme