Shprehen shqetësime për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Pezullimi i certifikatës së biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), me 14 qershor, ka nxitur reagime të shumta.

OEK-u dhe OEAK-u i kërkojnë MINT-it ta rishikojë vendimin lidhur me Klan Kosovën

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), kanë shprehur shqetësimin për vendimin për pezullim të licencës së Klan Kosovës.

OEK-u ka vlerësuar se ky vendim nuk është në përputhje me procedurën administrative gjegjëse dhe ka kërkuar që ai të rishikohet.

“OEK është e shqetësuar edhe më tepër me implikimet që sjell ky vendim, sidomos me mundësinë që të mbyllet Klan Kosova si medium. Klan Kosova është ndër mediat që ka bërë më së shumti për promovimin e bizneseve vendore, prandaj çdo cenim i medias Klan Kosova është edhe cenim i promovimit të prodhimeve kosovare. Për më tepër OEK është e shqetësuar edhe me implikimet që një vendim i tillë, pa respektuar proceduarat administrative, do të ketë në imazhin e Kosovës si vend që tenton të tërheq investime të huaja. Prandaj, OEK apelon për vendimmarrje të drejtë, të bazuar në procedurat e ligjet gjegjëse si dhe respektim të të drejtave të bizneseve por edhe për pacenueshmëri të lirisë së shprehjes”, thuhet në reagim.

Kurse, në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thuhet se ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë.

“Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit. Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Veprime të tilla thuhet se gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. “Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi. Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, ”të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”.

“Po ashtu, pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova.

“Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë”, thuhet në reagim.

BE-ja e shqetësuar për pezullimin e licencës së Klan Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, është shprehur e shqetësuar me këtë vendim dhe ka bërë të dituar se janë duke i monitoruar nga afër zhvillimet e fundit.

Në një postim në Twitter, zyra e BE-së ka shprehur përkushtimin për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në Kosovë.

“Të shqetësuar rreth pezullimit të licencës së biznesit të Klan Kosovës. BE-ja po e monitoron nga afër zhvillimet. Vëmendja u përqendrua veçanërisht në ndikimin e mundshëm në lirinë e medias”, thuhet në postim.

Rohde: Ndajmë shqetësimin për pezullimin e papritur të licencës së Klan Kosovës

I shqetësuar me vendimin është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në një postimi në Twitter, Rohde ka vlerësuar se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është i papritur dhe se do ta ndjekin nga afër këtë proces.

“Ndajmë shqetësimet e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Rrjetit Global për Mediat e Pavarura dhe të tjerave për pezullimin e papritur të licencës së biznesit të Klan Kosovës dhe do ta ndjekim nga afër”, ka shkruar Rohde.

Ai ka theksuar se procedurat në vazhdim duhet të jenë të drejta dhe jo të atilla që rrezikojnë ngritjen impresive të Kosovës në nivelin global për lirinë e mediave.

Abbott: Institucionet të kenë shumë kujdes me masat, vendimi ende objekt i ankimimit

Për këtë ka reaguar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili ka thënë se është duke e përcjellë me vëmendje rastin e Klan Kosovës dhe se vendimi për pezullimin e licencës së biznesit të saj, është ende objekt ankimimi.

Abbott përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje institucioneve që të kenë kujdes në masat që marrin dhe të kenë parasysh implikimet që mund të kenë në lirinë e mediave në Kosovë.

“Po e ndjek me vëmendje rastin e Klan Kosovës dhe vërej se vendimi për licencën e biznesit të saj është ende objekt ankimimi. Vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, ka shkruar Abbot.

Të ngjashme