Shprehet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen me thikë në një kafiteri në Gjilan

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari B.Z, i cili po akuzohet nga prokuroria se me thikë e ka vrarë tashmë të ndjerin I.C.

Në seancësn e shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën, pas leximit të aktakuzes nga prokurori i shtetit Isuf Sadiku, i akuzuari  ka deklaruar që ndien keqardhje për rastin që ka ndodhur por nuk e pranon fajësinë.

“Unë kam qenë i shantazhuar dhe i kërcënuar nga I.C. Në ditën kritike unë kam tentuar të largohem nga ai por nuk kam mundur. Vrasjen nuk e kam kryer me qëllim pasi kam qenë i sulmuar disa herë nga ai”, tha i akuzuari Zeqiri.

Gjyqtari, Agim Ademi ka njoftuar palët se kanë të drejt të parashtrojnë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Pasi seanca ishte fillestare dhe i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, seanca e sotme u shtye për kohë të pa caktuar për t’i dhënë mundësi atij të bëjë kundërshtimin e aktakuzës, raporton Betimipërdrejtësi.

Sipas aktakuzës, më 24.06.2021, në Gjilan, saktësisht në kafiterinë “Viva La”, i akuzuari me dashje ka privuar nga jeta viktimën I.C, për motive të ulëta.

Tutje thuhet se pas një mosmarrëveshje verbale në mes të akuzuarit dhe tani të ndjerit lidhur me raportet intime në mes të akuzuarit dhe bashkëshortes së viktimës, i akuzuari me një thikë me veprim të drejtpërdrejt ka privuar nga jeta tani të ndjerin, duke e goditur në regjionin e përparmë të qafës (në fyt), i akuzuari i ka shkaktuar katër plagë prerëse dhe dy plagë prerëse – shpuese – shkuese (apo qorre), një plagë prerëse – shpuese – shkuese në anën e majtë të regjionit ijor, ku për shkak të plagëve të pësuara viktima nuk ka mundur të mbijetoj dhe rrugës për në spital ka vdekur.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Kosovës, e dënueshme me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet.

Të ngjashme