Kupa e Botës 2026 është përfshirë nga kaosi pasi lojtarët u panë duke u larguar me vrap nga fusha pasi u dëgjuan të shtëna armësh gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në një nga vendet pritëse.
Këtë verë, turneu më i madh i futbollit do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadë dhe Meksikë.
Ndeshja hapëse, mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, është planifikuar të zhvillohet në “Estadio Azteca” në Mexico City.
Megjithatë, para turneut po shtohen shqetësimet për shkak të dhunës së vazhdueshme të lidhur me bandat kriminale.
Të dielën u raportua se lideri i kartelit “Jalisco New Generation” (CJNG), “El Mencho” – i njohur më parë si Nemesio Oseguera Cervantes – ishte vrarë gjatë një operacioni sigurie.
Sipas “BBC”, katër anëtarë të kartelit u plagosën në shtetin qendror-perëndimor të Jaliscos, ndërsa tre pjesëtarë të forcave të armatosura meksikane u lënduan gjatë përplasjeve të dhunshme.
Pas vdekjes së tij, situata u përkeqësua në disa qytete, përfshirë Guadalajara dhe Aguascalientes.
Siç raportoi “The Sun”, të shtëna armësh u dëgjuan jashtë “Estadio Victoria” në Aguascalientes, ku po zhvillohej ndeshja e Liga BBVA MX Femenil mes Club Necaxa dhe Querétaro Femenil.
Sipas raportimeve dhe videove të publikuara në rrjete sociale, ndeshja u ndërpre pak pas fillimit të pjesës së dytë, me arbitren që fishkëlleu dhe u kërkoi lojtareve të largoheshin menjëherë nga fusha.
Të dyja skuadrat u panë duke vrapuar drejt tunelit, të ndjekura nga zyrtarët e ndeshjes.
Gazetari meksikan Manuel Lopez San Martin publikoi një video me përshkrimin: “Paniku në Aguascalientes. Ndeshja e femrave Necaxa vs Querétaro pezullohet për shkak të të shtënave të mundshme jashtë ‘Estadio Victoria’”.
Më pas u raportua se ndeshja rifilloi pas një ndërprerjeje të shkurtër, me Necaxa që fitoi 2-1.
Megjithëse Necaxa nuk e adresoi drejtpërdrejt incidentin, klubi njoftoi tifozët se një event përkujtimor i planifikuar për t’u mbajtur pas ndeshjes ishte anuluar.
Në një deklaratë, klubi shkroi: “Eventi përkujtimor i planifikuar për këtë të diel në ‘Estadio Victoria’, pas përfundimit të ndeshjes së femrave, është anuluar. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju informojmë së shpejti për një datë të re”.