Autoritetet e sigurisë së Shqipërisë kanë arrestuar një 24-vjeçar nga Taxhikistani, i dyshuar të jetë pjesëtar i organizatës terroriste Shteti Islamik (IS).
Drejtoria e Antiterrorit në Shqipëri në bashkëpunim me Interpol Tirana ka vënë në pranga qytetarin taxhik me qëllim ekstradimi.
Policia e Shtetit bëri të ditur se ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.
“Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar ‘Vizitori’”, bëri të ditur Policia.
Sipas informatave të dhëna nga autoritetet, thuhet se në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç.
“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste’ i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të Shtetit Islamik (IS)”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Po ashtu, në njoftimin për media u tha se materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi për në Gjermani.