Studentët në Shqipëri kanë përmbullur protestat e tyre për vitin 2018, për t’i vazhduar ato në janar të vitit të ardhshëm.
Ky vendim i tyre vjen pasi që nga e hëna hapet zyrtarisht pushimi i festave të fundvitit në të gjitha Universitetet e Shqipërisë.
Studentët janë zotuar që do t’i vazhdojnë këto protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike dhe akademike drejtuar qeverisë dhe institucioneve arsimore të vendit.
Prej më shumë se 2 javësh studentët kanë bojkotuar auditorët e universiteteve duke marshuar në sheshet dhe bulevardet e Tiranës por edhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.
Qeveria e Shipërisë vazhdimisht ka bërë përpjekje për të hapur dialog me studentët, megjithëse ata refuzojnë dialogun dhe thonë se kushtet e tyre nuk janë për bisedime por vetëm plotësim, se protestat e tyre nuk kanë përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës.
Studentët i kanë 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre, që kanë të bëjnë me ulje të tarifave, përmirësim të cilësisë së arsimit dhe të kushteve të konvikteve ku ata jetojnë, pajisjen me kartën e studentit për lehtësira ekonomike dhe përfaqësimin e tyre në borde drejtuese e vendimmarrëse të universiteteve.
Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).
Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mija (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).
Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.
Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë me GDP prej 4,868 dollarë për kokë banori, ndërkohë që sipas Bankës Botërore në vitin 2017, është shpenzuar në arsim 2.49% të GDP, që është nën mesataren evropiane.